Sport

Crystal Palace rivalizon Shqipërinë për organizimin e Kupës së Greqisë


Credit: EPA

Skuadra e Premier League, Crystal Palace ka shfaqur dëshirën për të pritur derbin grek AEK Athinë – PAOK, me dy skuadrat që përballen në finalen e Kupës së Greqisë. Mirëpo, edhe Shqipëria është një destinacion i mundshëm për këtë ngjarje, duke vendosur në dispozicion stadiumin “Elbasan Arena”.

Sipas raporteve nga Anglia, Crystal Palace mund të presë finalen e ardhshme të Kupës së Greqisë, pavarësisht shqetësimeve rreth përplasjeve të rrezikshme mes tifozëve rivalë.

Federata e Futbollit të Greqisë po përpiqet të gjejë një destinacion për ndeshjen, e cila do të zhvillohet të mërkurën, më 24 maj.

Credit: REUTERS

Ka një histori konfrontimesh midis mbështetësve të AEK Athinës dhe PAOK-ut, të cilët janë vendosur të garojnë në finale. Duke pasur parasysh këtë kontekst, presidenti i FA greke, Panagiotis Baltakos është i vendosur për të luajtur ndeshjen jashtë vendit.

Dhe siç raportohet nga “The Sun”, kryetari i Palace, Steve Parish është i hapur për të pritur ndeshjen në jug të Londrës. Stadiumi “Shqiponjave” “Selhurst Park” ka një kapacitet prej 25,486 vendesh.

Australia ishte një tjetër destinacion i mundshëm i konsideruar, për shkak të popullsisë së madhe greke në vend. Ndërsa qyteti polak i Sosnowiec mund të jetë gjithashtu një opsion.

Ndeshjet mes gjigantëve grekë AEK Athinë dhe PAOK cilësohen si “derbi i shqiponjës dykrenore”.

Vitet e fundit ka pasur disa përplasje të tmerrshme mes klubeve. Në përballjen e tyre për titull në vitin 2018, presidenti i klubit të PAOK-ut, Ivan Savvidis u fut në fushë me një armë pasi goli i vonë i Fernando Varela u anulua për pozicion jashtë loje.

Presidenti i klubit të PAOK-ut, Ivan Savvidis me armë në brez, 2018. Photo: AP

Lojtarët e AEK-ut u larguan nga fusha me frikë për sigurinë e tyre, nuk pranuan të ktheheshin dhe ndeshja u ndërpre. Në vitin 2019, policia u detyrua të ndërhynte dhe përdori shkopinj mbi tifozët kur të dy palët u përballën në finalen e Kupës së Greqisë.

Emblemat e të dy klubeve kanë një shqiponjë dykrenore, por me ngjyra të ndryshme, me historinë e të dyjave me origjinë nga refugjatët nga Kostandinopoja (tani Stambolli) pas luftës greko-turke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore