Lajme

Covid-19/ Malit të Zi i del situata nga dora


Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Igor Galiq, në një konferencë për shtyp ditën e premtë, më 12 mars, deklaroi se situata epideomologjike është shumë serioze dhe komplekse.

“Ne nuk e kontrollojmë dot më epideminë,  sepse numri i të prekurve me virus dhe atyre që humbasin jetën është vazhdimisht në rritje”.

Galiq tha se në Mal të Zi infektohet çdo dy minuta një person. Ndërsa çdo 150 minuta humb jetën një njeri.

Drejtori tha se 13% e popullatës së vendit janë të prekur me virusin Covid-19. Sipas tij, transmetimet lokale kanë pësuar një rritje të madhe, virusi është duke u përhapur shpejt.

“Rastet e regjistruara të infeksionit në lidhje me numrin e testuar është 28.7%. Në mënyrë që të jemi në gjendje të themi se ne e kontrollojmë epideminë, ky raport duhet të jetë 5%. Kjo flet për masën, në të cilën ne nuk e kontrollojmë epideminë”.

Pse nuk i mbyll kufinjtë Mali i Zi?

Pavarësisht shtimit të numrit të personave të prekur nga coronavirusi, autoritet e Malit të Zi vazhdojnë t’i mbajnë hapur kufijtë me katër vendet fqinje. Përkatësisht Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Sekretari i Shtetit nga Ministria e Shëndetësisë, Borko Bajiç, deklaroi se arsyeja pse kufijtë mbahen hapur janë kryesisht ekonomike.

“Këta vende përfshijnë një numër më të vogël të të infektuarve dhe fakti se dhe këto vende i mbajnë hapur kufijtë me ne”.

Në këto vende lëvizja bëhet dhe pa një provë të testit PCR.

Mali i Zi renditet i pari në rajon me një numër prej 1 mijë e 448 persona të të infektuarve aktivë, për 100 mijë banorë.

Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 1 mijë e 113 humbje jete për shkak të Covid-19 dhe 82 mijë e 29 raste të të infektuarve.

Mali Zi kthen sytë nga BE 

Shefi i diplomacisë në Mal të Zi, Gjorgje Radulloviq, i bëri kërkesë Bukselit që të dërgojë mjekë e infermierë për t’u dhënë ndihmë personelit mjekësor malazez.

Delegacioni i bashkimit Evropian (BE), në Podgoricë,  ka deklaruar se Malit të Zi i është alokuar një fond prej 200 mijë eurosh për të siguruar pajisje mjekësore në luftën kundër Covid-19.

Që nga fillimi i pandemisë BE-ja i dhënë një paketë ndihme prej 53 milionë eurosh mjete të pakthyeshme, dhe 60 milionë euro si ndihmë mikro financiare.

Procesi i vaksinimit

Si në çdo vend të botës skema për vaksinimin e popullatës ka nisur fillimisht me personelin mjekësor. Kështu dhe Mali i Zi deri më tani ka vaksinuar mjekë, infermierë dhe punonjësit mbështetës.

Qeveria malazeze ka njoftuar se në ditët në viojim do të vaksinohen personat mbi 80 vjeç.

Epidemiologu Milko Joksimoviç, tha se shkaku pse ka kaq fatalitete dhe rritje të numrit në Mal të Zi vjen dhe nga procesi i ngadaltë i vaksinimeve.

Deri më tani në Mal të Zi, janë vaksinuar 3 mijë e 62 qytetarë. Në ditë mesatarisht vaksinohen 170 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore