Lajme

Covid-19/ Indi, ligji ndalon OJQ-të të shpërndajnë ndihma jetike


Legjislacioni i hartuar nga qeveria indiane pengon organizatat joqeveritare (OJQ) të furnizojnë me koncentratorë oksigjeni spitalet që kanë nevojë për to.

Akti i Rregullimit të Kontributit të Huaj (FCRA) u ndryshua në kulmin e valës së parë të pandemisë së coronavirus-it vitin e kaluar.

Ndryshimet nënkuptojnë që OJQ-të, të cilat operojnë në Indi, nuk mund të shpërndajnë ndonjë kontribut të huaj në grupe të tjera dhe të gjitha fondet nga jashtë duhet të vendosen në një llogari bankare specifike në kryeqytetin, Delhi.

Në kohën e zbatimit, qeveria indiane tha se rregullat e reja kishin për qëllim të sillnin “transparencë më të madhe” dhe “të ndalonin keqpërdorimin e fondeve të huaja nga disa njerëz”.

Jennifer Liang është një bashkëthemeluese e OJQ-së The Ant dhe thotë se legjislacioni po kushton jetë njerëzish.

Ajo u tha mediave se legjislacioni e kishte ndaluar organizatën e saj për të shpërndarë oksigjen nga donatorët e huaj, sepse ata nuk ishin në gjendje të hapnin një llogari të re bankare në Delhi.

India është në mes të një krize mjekësore, ndërsa numri i të vdekurve nga coronavirus-i vazhdon të rritet.

Shifrat zyrtare thonë se, më shumë se 250 mijë njerëz kanë vdekur nga virusi, por disa ekspertë besojnë se shifra reale është shumë herë më e lartë.

Shumë spitale janë të mbingarkuara dhe oksigjeni ka mungesë të mjaftueshme.

Rregullat e FCRA-së përfshijnë që OJQ-të dhe organizatat bamirëse duhet të regjistrohen nën FCRA-në para se të mund të funksionojnë.

Siç njoftohet dhe nga Qeveria indiane, çdo financim që vjen nga jashtë duhet të vendoset në degë të veçanta të Bankës Shtetërore të Indisë në Delhi.

OJQ-të nuk mund të shpërndajnë më shumë kontribute të huaja (para dhe furnizime) në bamirësi të tjera, kështu që nën kontraktimi është i ndaluar.

Ky legjislacion po shkakton vonesa të panevojshme të dhënies së ndihmës, për shkak të plotësimit të formularit dhe rregullave komplekse rreth shpërndarjes së fondeve.

Aakar Patel, drejtori i Amnesty India, thotë se ligji paralizon pranimin e ndihmës nga OJQ-të.

Raportet sugjerojnë që kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka qenë dyshues për aktivitetin e financuar nga jashtë.

Në të kaluarën, ai ka akuzuar organizatat bamirëse të zakonshme për ndalimin e rritjes ekonomike.

Ndërsa kriza nga Covid-19 thellohet ka shqetësime se, organizatat më të vogla jofitimprurëse në pjesët rurale të Indisë, do të vuajnë më së shumti pa mbështetjen e fondeve nga grupe më të mëdha.

OJQ-të paralajmërojnë një rritje të burokracisë duke shtuar vonesat që vendi nuk mund të përballojë në këtë kohë kritike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore