Lajme

Covid-19, Gjermania zgjat kufizimet


Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, me 16 drejtuesit federalë, në mbledhjen e 22 marsit vendosën që të zgjasin bllokimin e vendit deri më 18 prill.

“Ne jemi në një pandemi të re, për shkak të përhapjes së varianteve të coronavirus-it”, tha Merkel.

Vendi do të hyjë në një bllokim edhe më të rreptë nga 1 prilli deri më 5 prill, gjatë periudhës së pushimeve të Pashkëve. Dyqanet, përfshirë dhe marketet, do të mbyllen.

Kancelarja paralajmëroi se Gjermania duhet të “thyejë rritjen eksponenciale të valës së tretë”.

Numrat e rasteve kanë arritur nivelet, për të cilat autoritetet thonë se do të rëndojnë njësitë e kujdesit intensiv.

Njoftimi i së martës shënon një përmbysje nga fillimi i këtij muaji, kur udhëheqësit e shtetit ranë dakord të fillonin një proces të rihapjes së kujdesshëm.

Bisedimet midis udhëheqësve të 16 shteteve federale të Gjermanisë dhe Merkel-it zgjatën deri në orët e para të mëngjesit pas një ndërprerjeje të gjatë.

Cilat janë masat e reja?

Përveç masave ekzistuese, u vendos mbyllja e mjediseve kulturore, të kohës së lirë dhe sportive. Kufizimet më të ashpra do të zbatohen gjatë periudhës së Pashkëve.

Kishave do t’u kërkohet që kremtimin e meshës duhet ta zhvillojnë nëpërmjet internetit, online.

Jo më shumë se pesë të rritur nga dy familje do të jenë në gjendje të takohen gjatë periudhës pesëditore.

Takimet në grup

Pothuajse të gjitha dyqanet do të mbyllen gjatë pesë ditëve. Vetëm dyqanet ushqimore mund të hapen të shtunën e 3 prillit.

Çdo qytetar i Gjermanisë, që vendos të dalë jashtë vendit, do të duhet të testohet para se të kthehet në Gjermani.

“Frenat emergjente” do të ndalojnë rihapjen e mëtejshme dhe do të zbatohet në zonat që tejkalojnë 100 raste të reja për 100 mijë banorë gjatë një periudhe shtatë ditore.

Nëse një zonë ka një normë infektimesh mbi 100 për tri ditë rresht, masat më të ashpra të bllokimit do të zbatohen edhe një herë.

Shkalla e infeksionit 

Sipas Institutit gjerman, Robert Koch, për sëmundjet infektive, tha se shkalla e infektimeve gjatë shtatë ditëve të fundit ka kaluar pragun në 107 raste.

Autoritetet shëndetësore paralajmëruan javën e kaluar se numri i rasteve të coronavirus-it po rritet me një shpejtësi të lartë.

Numri i rasteve të konfirmuara në Gjermani të hënën u rrit me 7 mijë e 709 në 2 milionë e 667 mijë e 225, ndërsa numri i të vdekurve u rrit me 50 në 74 mijë e 714.

Fushata e vaksinimit 

Merkel tha se Gjermania, e cila kishte vdekje relativisht të ulët gjatë fazës së parë të pandemisë pranverën e kaluar, ka parë “suksese, por edhe pengesa”, duke këmbëngulur se situata do të përmirësohej ndërsa më shumë njerëz vaksinohen.

Fushata e vaksinimit të Gjermanisë, deri më tani, ka mbetur prapa parashikimeve. Rreth 9% e popullsisë marrin të paktën një dozë të parë dhe 4% marrin të dyja dozat deri të dielën.

“Por ka përfundimisht dritë të dukshme në fund të tunelit”, tha Merkel.

Në përfundim, ajo tha se testimet dhe qendrat e vaksinimit do të qëndrojnë të hapura.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore