Lajme

COVID-19, alarm në Hong Kong: Pacientët në rrugë dhe sistemi shëndetësor në kolaps


Hong Kong është në alarm, ku për herë të parë që nga fillimi i pandemisë COVID-19 kaloi dy mijë infeksione – përkatësisht 2 mijë e 71 – numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në një ditë të vetme.

Qyteti kinez ka vendosur gjithashtu të zgjasë pezullimin e mësimeve në shkolla deri më 7 mars për të kundërshtuar valën e infeksioneve, numri i të cilave duket i destinuar të përkeqësohet nëse marrim parasysh se 4 mijë e 500 persona ishin paraprakisht pozitivë me COVID-19.

Disa dëshmitarë dhe media, përfshirë “Bloomberg”, raportojnë lajme dhe imazhe të pacientëve që trajtohen në rrugë.

Rreth një duzinë të moshuar, të mbështjellë me batanije, u detyruan të prisnin në shtretërit e spitalit jashtë Qendrës Mjekësore “Caritas” në Sham Shui Po – një nga lagjet më të varfra në qytet, të mërkurën.

Një grup tjetër njerëzish, duke përfshirë fëmijë të vegjël, u ulën në çadrat e izolimit blu përballë rrugës duke pritur që të vlerësoheshin nga personeli mjekësor.

Autoritetet shëndetësore vendase kanë vendosur që nga nesër ta vënë në dispozicion vaksinën e prodhuar nga grupi kinez Sinovac edhe për fëmijët tre vjeç, ndërsa nga e mërkura do të mundësohet vaksinimi i fëmijëve të paktën pesë vjeç me serumin e zhvilluar nga BioNTech për të luftuar transmetimin e virusit tek më të rinjtë.

Sipas gjetjeve të Qendrës për Mbrojtjen e Shëndetit të qytetit kinez, rreth 4% e pacientëve në valën aktuale të infeksioneve, e pesta, janë jo më shumë se katër vjeç. Për të frenuar valën aktuale të infeksioneve të variantit Omicron “sa më shpejt të jetë e mundur”, udhëheqësja e Hong Kong-ut, Carrie Lam, ka ngritur pesë task forca të cilat do të veprojnë në koordinim me përfaqësuesit e qeverisë qendrore kineze, të cilave ai shprehu “mirënjohje të sinqertë” dhe me autoritetet e Guangdong, provinca juglindore kineze në kufi me Hong Kong-un.

Udhëheqësi kinez Xi Jinping ka urdhëruar qeverinë e Hong Kong-ut të kontrollojë spiralen epidemike të COVID-19 që ka përfshirë sistemin shëndetësor të qytetit, duke theksuar shqetësimet në rritje të Pekinit për krizën dhe duke rritur mundësinë e kufizimeve edhe më të rrepta në ‘qendrën financiare globale.

Xi e përcolli këtë direktivë në artikujt që u botuan në dy gazetat kryesore shtetërore të qytetit, në të cilat ai tha se kontrolli i epidemisë nga Hong Kong-u është “detyra prioritare për momentin” dhe se është përgjegjësi e zyrtarëve lokalë të mbajnë kontrolle mbi ‘epidemi.

Qeveria qendrore do të ndërmarrë gjithashtu veprime për të zbutur mungesat e ushqimit dhe furnizimeve të tjera, si dhe do të ndihmojë në ndërtimin e qendrave të trajtimit dhe izolimit, tha Xi.

Zyrtarët e Hong Kong-ut kaluan kufirin për në Shenzhen gjatë fundjavës për të folur për planet për të ndihmuar qytetin të pajtohet me politikat zero-COVID që tani po bien nën valën e pestë të infeksioneve.

Urdhri jashtëzakonisht i drejtpërdrejtë i Xi do të sugjeronte që zyrtarët e Hong Kong-ut nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i përmbahen rreptësishtë politikës së tolerancës zero të Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore