Lajme

COVID-19 në Hong Kong: Spitalet të mbingarkuara mes rritjes së rasteve


Sistemi shëndetësor i Hong Kongu-t po përballet me një mbingarkesë pas një rritjeje të madhe të rasteve me COVID-19, me pacientë të infektuar që trajtohen jashtë spitaleve të mbushura me njerëz.

Qeveria ka pranuar se po përpiqet të përmbajë valën e pestë të infeksioneve, të nxitur nga Omicron. Por ka përjashtuar një bllokim në mbarë qytetin.

Një rekord prej 4 mijë e 285 raste të reja u raportuan të mërkurën.

Presidenti kinez, Xi Jinping, u kërkoi udhëheqësve vendas të marrin “të gjitha masat e nevojshme”, në një ndërhyrje të rrallë.

Komentet mund të sinjalizojnë kontrolle më të forta në rajonin e posaçëm administrativ të Kinës, i cili ndjek një politikë zero COVID – por pa testimin e rreptë masiv dhe bllokimet që shihen në territorin e Kinës.

Më shumë se 10 mijë njerëz janë duke pritur për t’u pranuar në spitale, pasi ekspertët paralajmërojnë se rastet ditore mund të rriten në 28 mijë.

Nëntë persona vdiqën nga virusi në 24 orët e fundit, duke përfshirë një vajzë 3-vjeçare, thonë autoritetet.

Qyteti me 7.5 milionë banorë ka konfirmuar rreth 26 mijë infeksione që nga fillimi i pandemisë dhe pak më shumë se 200 vdekje, shifra shumë më poshtë se qytetet e tjera me madhësi të ngjashme.

Por ka një lodhje midis banorëve, të cilëve u është dashur të durojnë masa të rrepta, që përfshijnë mbylljen e shumicës së vendeve publike si pub-et, palestrat apo kishat, dhe kufizime të rënda të udhëtimit.

Qeveria gjithashtu ka luftuar për t’i bindur banorët që të vaksinohen, me një marrje relativisht të ulët në veçanti nga të moshuarit.

Presidenti Xi tha se qeveria e Hong Kong-ut “duhet të mobilizojë të gjithë fuqinë dhe burimet për të marrë të gjitha masat e nevojshme” për të kontrolluar shpërthimin, sipas gazetave pro-Pekinit “Wen Wei Po” dhe “Ta Kung Pao”.

Duke iu përgjigjur mesazhit, udhëheqësja e Hong Kong-ut, Carry Lam, tha se autoritetet lokale do të “mobilizojnë të gjithë fuqinë punëtore, burimet në dispozicion dhe do të miratojnë të gjitha masat e nevojshme” për të kontrolluar situatën.

Sipas saj, puna do të fokusohet në përmirësimin e kapacitetit të testimit, ndërtimin e objekteve të trajtimit dhe izolimit, dhe marrjen e furnizimeve mjekësore dhe të tjera nga Kina kontinentale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore