Lajme

“Çnjohja” e Kosovës nga Komuna e Zetës në rend dite më 11 qershor


Ilustrim

Deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës do të jetë në rendin e ditës të seancës së Kuvendit të Komunës së Zetës në Mal të Zi, të cilën kryetari i Asamblesë Komunale, Luka Krstoviç, e ka caktuar për më 11 qershor, në ora 20:00, transmeton e përditshmja malazeze “Pobjeda”.

Krstoviç ka thënë për gazetën më të vjetër malazeze se seanca ishte caktuar për 11 qershor, pas përfundimit të heshtjes zgjedhore. Pra, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen po në të njëjtën ditë në Mal të Zi.

“Seanca e gjashtë e Kuvendit të Komunës së Zetës është caktuar sipas procedurës së rregullt dhe sipas kërkesave të asambleistëve dhe kryetarit të komunës. Pesë pika të rendit të ditës do të jenë në rendin e ditës, duke përfshirë edhe deklaratën e kolegëve të Frontit Demokratik”, tha Krstoviç.

Iniciativa e fundit e Komunës së Zetës në Mal të Zi, ku Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus (tashmë i shpërbërë pas 11 vitesh) inicoi një deklaratë për tërheqjen e njohjes së Kosovës, nuk mund të ketë efekt juridik, por është një vendim tërësisht politik. Një inciativë krejt e parëndësishme.

Kryetari i Komunës së Zetës, Mihailo Asanoviç, ka pritur që Këshilli i Ministrave të enjten, më 25 maj, të shqyrtojë deklaratën për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Nuk përjashtohet mundësia që shembullin e Zetës ta ndjekin edhe komunat tjera malazeze ku dominon Fronti Demokratik.

Fronti Demokratik pro-rus dhe pro-serb, i cili ka pushtet absolut në Komunën e Zetës – komuna më e re në Mal të Zi – mori vendim për miratimin e një deklarate, me të cilën, siç thanë ata, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë më në atë territor.

Ndryshe, edhe pse shumica parlamentare në Mal të Zi (Frontit Demokratik, Demokratët dhe URA) pas fitores në vitin 2020 ishin zotuar që të mos ndryshojnë kursin e politikës së jashtme të vendit, ata kanë reaguar ashpër ndaj çdo mbështetjeje të Malit të Zi ndaj Kosovës.

Kujtojmë se Fronti Demokratik në vitin 2018 kishte nisur një peticion për tërheqjen e njohjes së Kosovës, së bashku me një grumbull partish populiste të krahut të djathtë dhe organizatash pro-serbe e pro-ruse, zyrtarë të të cilëve edhe kishin vizituar Mitrovicën e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore