Sport

Cluj e zyrtarizon transferimin e Krasniqit


Gjatë ditës së djeshme (e hënë), “Transfermarkt” e kishte zyrtarizuar transferimin e Ermal Krasniqit nga Ballkani tek ekipi rumun, CFR Cluj.

Nga dyja skuadrat nuk pati ndonjë lajm për këtë lëvizje, megjithatë sot është zyrtarizuar ky transferim nga skuadra e Cluj.

“Klubet CFR 1907 Cluj dhe FC Ballkani, ish-kundërshtarët tanë nga grupet e Ligës së Konferencës, kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit kosovar Ermal Krasniqi”, thuhet në njoftimin e klubit rumun.

“Mesfushori ofensivë 24-vjeçar ka luajtur për tri sezone e gjysmë te FC Ballkani, skuadër ku ka bërë 105 paraqitje. Në fanellën e kampionit të Kosovës, Krasniqi ka shënuar 39 gola dhe ka dhënë 17 asistime vendimtare”.

“Forma e mirë në sezonet e fundit tërhoqi vëmendjen e përfaqësueses së Kosovës dhe në nëntor të vitit 2022 mesfushori u thirr për herë të parë në kombëtare”.

“I urojmë mirëseardhje në Cluj dhe shumë suksese”, shkruan klubi i Cluj.

Transferimi i Krasniqit në Cluj (sipas Transfermarkt) është bërë për 400 mijë euro, derisa mban rekord së bashku me Arbnor Mujën, si transferimi më i shtrenjtë nga futbolli kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore