Lajme

Çka përmban marrëveshja 202 milionëshe me MCC-në?


Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në

Të mërkurën me një ceremoni solemne Kosova e përfaqësuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka nënshkrua marrëveshjen në fushën e energjetikës me Korporatën amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit, e përfaqësuar nga kryeshefja ekzekutive e kësaj korporate, Alice Albright.

Nënshkrimi i marrëveshjes përveç që është cilësuar si një arritje historike për Kosovën nga krerët institucional e njëjta është quajtur si një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

Përmes kësaj marrëveshjeje Kosova do të fitojë një grant në vlerë prej 202 milionë dollarësh. Shuma totale e marrëveshjes kap shifrën e 236 milionë dollarëve, ku pjesën tjetër të kësaj shume do ta paguajë Qeveria e Kosovës.

Programi kompakt në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përfshijë tri projekte, bënë të ditur zyra e kryeministrit.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve

E para krijimi i rezervave dhe arbitrazh të energjisë prej 340 megavatëorë, e dyta zhvillimi i fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë si dhe Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Për Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës, Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit të gjelbër dhe do t’i kontribuojë sigurisë energjetike në vend.

Kurti, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se kur do të fillojë zbatimi i marrëveshjes në fjalë, kishte deklaruar se sa më shpejtë që është e mundur.

“Sa më shpejtë që të mundemi do të ecim përpara, meqenëse kriza energjetike nuk do të shuhet”.

Paraprakisht gjatë ditës së mërkurë, Qeveria e Kosovës në një mbledhje online miratoi ratifikimin e marrëveshjes, ndërkohë që Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e kishte miratuar këtë në fund të qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore