Lajme

Çka mund të bëjë Serbia që ta dëmtojë ekonominë e Kosovës? – Pothuajse asgjë


Ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, ka nxitur reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që ka paralajmëruar masa ekonomike për Kosovën.

“Masat tona, do të jenë të dhimbshme, sidomos në planin ekonomik. Shpresoj të mos jetë e nevojshme të marrim këto masa”, kishte thënë Vuçiçi gjatë një konferencë të jashtëzakonshme.

Për njohësit e ekonomisë kjo deklaratë e presidentit të Serbisë është e pa logjikshme dhe nuk paraqet ndonjë shqetësim apo problem për Kosovën.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për Albanian Post ka thënë se thjeshtë Vuçiçi tenton të luajë faktorin e rëndësishëm në nivelin ballkanik.

“Por nuk është edhe shumë faktorë në raport me Kosovën, sepse është eksportues në Kosovë dhe çdo hap i tij ekonomik është në një farë mënyrë bumerang për vetë ekonominë e shtetit serb”.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj

Por, megjithatë Kadriaj ka dhënë disa arsyeje ku mund të shkaktojë dëme Serbia në raport me Kosovën.

“Ai mund të shkaktojë dëme në raport me diasporën e Kosovës, që pjesa më e madhe e tyre e kalojnë rrugën nëpër shtetin serb, dhe dëmi më i madh është në atë pjesë”, ka thënë ai.

“Eventualisht mund t’i prolongojë bisedimet, ndoshta në ndonjë iniciativë rajonale mund të ngrisin notë proteste, por që nga aspekti ekonomik nuk ka sens dhe logjikë ekonomike”.

Ndërsa, ekonomisti, Astrit Ratkoceri, paralajmërimin e Vuçiçit më shumë e sheh si problem për bizneset kosovare që kalojnë transit nëpër Serbi.

“Sido që të jetë shfaqja e problemeve të themi gjatë transportimit të mallrave apo kalimit të mallrave të Kosovës tranzit nëpër Serbi për t’i eksportuar në vende të ndryshme, mund të ketë ndikim në rritjen e kostos së transportit”, ka thënë Ratkoceri.

Ai ka bërë të ditur se më shumë dëm do t’i shkaktonte Serbisë ndalja e eksportit në Kosovë, sesa Kosovës.

Astrit Ratkoceri, ekonomist

Madje, Ratkoceri vlerëson se çfrado veprimi i Vuçiçit, më shumë do ta dëmtonte Serbinë.

“Çfarëdo mase ekonomike që mund të ndërmerret  nga Serbia, në rast të një kundërpërgjigje të mirë nga Kosova do të shkaktonte dëme më të mëdha në Serbi se sa në Kosovë”, ka thënë ai për Albanian Post.

Gjithsesi, “politika të tilla mund të ndikonin në çrregullim të tregut dhe lëvizje të çmimeve në artikuj të ndryshëm por, me efekt në të dyja vendet dhe jo vetëm në Kosovë”, ka thënë Ratkoceri.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targa, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë brenda territorit të vendit.

Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së hënë për vendimin e vendosjes së tabelave të përkohshme “RKS” për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera nga Serbia, ka thënë se këto veprime nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë, apo të provokojnë ndonjë destabilizim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore