Lajme

Çka është vetë-menaxhimi?


Ilustrim

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, të shtunën në Ohër janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të dakorëdusar më 27 shkurt në Bruksel, pas rreth 12 orë diskutimesh, që u përcoll me pauza e me rikthime në tavolinën e diskutimit.

Një nga pikat më problematike për Kosovën ka qenë neni shtatë Marrëveshjes, i cili përcakton aranzhimet specifike, “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Pala kosovare dhe ajo serbe dhanë interpretime të ndryshme për nenin në fjalë, për të cilin shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se duhet të nis së zbatuari menjëherë.

“Sigurimi i një niveli të duhur vetë-menaxhimi”, sipas profesorit të se Drejtës Ndërkombëtare, Mazllum Baraliu, nuk është asgjë tjetër përveç një autonomi territoriale për serbët e Kosovës.

Me këtë formulim, shpjegon më tej Baraliu, serbët fitojnë vetëvendosjen.

“Pra serbëve në kundërshtim me Kushtetutën me Ligjet e Kosovës, duke i diskriminuar komunitetet e tjera pakicë jepet e drejta e vetëvendosjes në Veri, plus Asociacioni jo vetëm në Veri, por në gjithë Kosovën. Pra kjo marrëveshje është më e keqe edhe se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 pasi. E para ka paraparë vetëm një Asociacioni ndërsa e dyta ka precizuar dhe konkretizuar parimet e atij mekanizmi”, thotë Baraliu për Albanian Post.

Se fraza vetë-menaxhim në këtë rast ka një konotacion shumë më teknik dhe administrativ e thotë Profesori i Studimeve të Paqes dhe Konflikteve në Universitetin Dublin City, Gëzim Visoka.

“Formulimi ‘vetë-menaxhim’ mendoj se është shumë më i përgjithshëm se sa ai i vetëqeverisjes, dhe si i tillë mendoj se ka kuptim më shumë teknik dhe administrativ dhe më pak ekzekutiv dhe autonom. Mirëpo, ju mbetet palëve të përcaktojnë kuptimin e saj. Çdo interpretim tjetër mund të jetë vetëm spekulativ”, ka thënë shkurt ai për Albanian Post.

Kleçka në këtë pikë, sipas ish-bashkëpartiakut të Albin Kurtit, Visar Ymerit qëndron në atë se pika e shtatë e Marrëveshjes ashtu siç është paraqitur është ambige dhe mund të kuptohet në disa mënyra.

Pjesa e cila duhet sqaruar, sipas Ymerit, është fraza ku referenca është komuniteti serb e jo komunat me shumicë serbe.

“Nëse flitet për komunitetin serb atëherë për cilat aspekte të menaxhimit të jetës së komunitetit bëhet fjalë?”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.

Takimi i Ohrit: Albin Kurti, Miroslav Lajçak, Josep Borrell dhe Aleksandër Vuçiç

Interesante gjithë në këtë mes, sipas Ymerit, është shtjellimi i diplomatëve të huaj, veçanërisht atyre amerikan, të cilët po japin më shumë se një kuptim për këtë pikë dhe këtë koncept.

“Përderisa më herët flitej për të drejtat në menaxhimin e arsimit, shëndetësisë, e të tjera, të drejtat këto që tashmë i gëzojnë komunat, është përmendur po ashtu një nivel i caktuar i autonomisë për serbët”, ka thënë Ymeri për AP.

Kryeministri i Kosovë tha se neni shtatë flet për “vetëmenaxhim” të komunitetit serb i cili nuk del përtej kornizës ligjore të Kushtetuese së Kosovës, por për presidentin e Serbisë, kjo nënkupton ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore