Kosova

Çitaku, Kurtit: Po flet sikurse je duke jetuar jashtë Kosovës


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë në Klan Kosova, tha se rritja ekonomike gjatë qeverisjes së tij është e pakrahasueshme në raport me qeveritë e kaluar.

“Kryeministri po flet për rritje ekonomike sikur mos me jetu në Kosovë, pyetja është shumë e thjeshtë, a jeton më mirë një familje në Kosovë sot, apo para 3 vitesh”, shkroi Çitaku në Facebook.

Tutje, ajo pyeti se “me pagën aktuale të një mësuesi, polici, mjeki, zjarrëfikësi, a arrinë të mbulojë shpenzimet bazike?”.

Po ashtu, nënkryetarja e PDK-së kujtoi se në ditën kur Kurti u mburr për rritje ekonomike Zyra e Rregullatorit të energjisë rriti çmimin për 15 përqind.

“Dobët. Shumë dobët”, përfundoi ajo.

Ndryshe, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në mbledhjen e radhës, ka aprovuar planin për rritjen e tarifave të çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind.

Tre anëtarë të bordit votuan pro kësaj pike ndërsa askush nga anëtarët e bordit nuk ishte kundër.

Në anën tjetër kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, tha se rritja e çmimit të energjisë po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, sipas tij, kostot do të jenë edhe më të larta.

Sipas tarifave të reja të energjisë elektrike konsumatorët shtëpiak të cilët do të konsumojnë deri në 300 kilovatë për orë, do të kenë rritje prej 2 euro e 88 centë.

“Për ata që harxhojnë 450 kilovatë orë, rritja do të jetë 4 euro e 18 centë. Për ata që harxhojnë 600 kilovatë orë, rritja do të jetë 5 euro e 49 centë. Për ata që harxhojnë 800 kilovatë orë rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Për ata që harxhojnë 1000 kilovatë për orë, rritja do të jetë 10 euro e 51 centë. Për ata që harxhojnë 1 mijë e 200 kilovatë për orë, rritja do të jetë 13 euro e 80 centë.

Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga muaji prill i këtij viti dhe rritja do të jetë e vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

ZRRE-ja, në shkurt të vitit të kaluar kishte miratuar rritjen e tarifave.

Nga ai vendim u prekën konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë që shpenzonin mbi 800 kilovat në orë.

Kjo kategori e konsumatorëve u faturua me 12.5 cent për kilovat në tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore