Jetesë & Stil

Cili është ndryshimi midis ankthit dhe depresionit pas lindjes?


Si ankthi ashtu edhe depresioni janë më të zakonshme pas lindjes së një fëmije

Çdokush mund të ndihet pak i shqetësuar kur vjen një fëmijë i ri, por për disa njerëz ankthi mund të bëhet një problem i vërtetë dhe ata do të kenë nevojë për ndihmë profesionale.

Ankthi pas lindjes është i zakonshëm si te meshkujt ashtu edhe te femrat.

Çfarë është ankthi pas lindjes?

Ankthi është më shumë sesa të ndihesh në ankth për një situatë specifike; ndodh kur ndjenjat e ankthit dhe stresit nuk largohen, nuk mund të kontrollohen lehtë dhe ndodhin pa ndonjë arsye të veçantë.

Ankthi që zhvillohet gjatë vitit pas lindjes quhet ankth pas lindjes. Ashtu si depresioni pas lindjes, është shumë i zakonshëm dhe prek rreth 1 në 7 nëna të reja dhe 1 në 10 baballarë të rinj.

Ankthi pas lindjes mund të nënkuptojë që ju të zhvilloni një ose më shumë nga kushtet e mëposhtme gjatë shtatzënisë ose pas lindjes: ankth i përgjithësuar (ndiheni në ankth shumicën e ditëve), çrregullimi i panikut (keni sulme paniku, kur ndiheni jashtëzakonisht të shqetësuar dhe keni simptoma fizike si gulçim, dhimbje gjoksi dhe marramendje) si dhe agorafobia (frika nga hapësirat e hapura ose publike).

Gjithashtu mund të zhvilloni simtpoma si: çrregullimi obsesiv-kompulsiv (je i detyruar të kryesh sjellje ose rituale të caktuara), çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) (ankthi juaj është i lidhur me një ngjarje traumatike të së kaluarës, dhe keni ëndrra të këqija, kthime prapa dhe e keni të vështirë të relaksoheni), fobi sociale (je i shqetësuar se mos kritikohesh ose poshtërohesh në publik).

Nëse tashmë keni një çrregullim ankthi ose jeni dikush që shqetësohet shumë, mund të jeni në rrezik më të madh të zhvillimit të ankthit pas lindjes.

Si mund ta dini nëse keni ankth pas lindjes?

Nëse ndodh që pushtohni nga ndjenja e frikës dhe shqetësimit, ndiheni nervoz, rrahje të shpehta zemre, jeni vazhdimisht të shqetësuar se nuk po i bëni gjërat siç duhet, janë vazhdimisht të shqetësuar se diçka e keqe do të ndodhë si dhe në mënyrë obsesive përpiqeni të kontrolloni gjërat, të tilla si kontrollimi i vazhdueshëm i foshnjës tuaj, keni vizione se diçka e tmerrshme po i ndodh foshnjës, nuk mund të flini, atëherë ju jeni duke përjetuar ankth pas lindjes.

Cili është ndryshimi midis ankthit dhe depresionit pas lindjes?

Deri në gjysma e njerëzve që kanë ankth pas lindjes do të kenë depresion pas lindjes në të njëjtën kohë. Depresioni pas lindjes përfshin një humor negativ, pa energji për më shumë se 2 javë. Ju gjithashtu mund të humbni interesin për aktivitetet normale, të ndiheni të trishtuar dhe të pashpresë, ta keni të vështirë të përqendroheni dhe të mos jeni në gjendje të hani ose të flini.

Si ankthi ashtu edhe depresioni janë më të zakonshme pas lindjes së një fëmije. Kombinuar me sfidat normale të mungesës së gjumit dhe ndjenjës së mbingarkesës nga të qenit prind i ri, mund të ndiheni të paaftë për ta përballuar. Është e rëndësishme të kërkoni ndihmë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund t’i riktheheni shijimit të fëmijës tuaj të ri.

Si trajtohet ankthi pas lindjes?

Nëse keni disa simptoma ankthi ose depresioni, bisedoni me mjekun, maminë ose infermieren e kujdesit shëndetësor të fëmijëve. Ata mund t’ju kërkojnë t’i përgjigjeni një pyetësori dhe të përshkruani se si jeni ndjerë. Ata gjithashtu mund të bëjnë një ekzaminim fizik dhe të kërkojnë të flasin me partnerin tuaj, nëse keni një të tillë.

Përpiquni të jeni sa më të sinqertë – kjo do ta bëjë më të lehtë për mjekun ose infermieren t’ju japë trajtimin dhe mbështetjen që ju nevojitet. Mos harroni, ankthi pas lindjes dhe depresioni janë jashtëzakonisht të zakonshme. Nuk ka asgjë për t’u turpëruar.

Nëse ankthi juaj është i lehtë, mund të jetë e mjaftueshme që ju të merrni më shumë mbështetje nga mjeku juaj ose infermierja e kujdesit shëndetësor për fëmijët.

Ankthi më serioz mund të ketë nevojë për trajtim me terapi psikologjike dhe, ndonjëherë, me ilaçe. Mjeku juaj do të diskutojë me ju ndonjë implikim për fëmijën tuaj dhe nëse ilaçi do të ndikojë në ushqyerjen me gji.

Pavarësisht nëse jeni nënë apo baba, ankthi pas lindjes mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të qenë prindi më i mirë që mund të jeni. Dhe nëse nuk merrni trajtim, ankthi pas lindjes ka shumë gjasa të përkeqësohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore