Shqipëria

Cili është dallimi mes refugjatëve dhe emigrantëve ekonomikë, pyet Lea Ypi


Mendimtarja shqiptare Lea Ypi ka botuar një reflektim të sajin në gazetën londineze “Financial Times” mbi konceptin e refugjatit, atij të gjallë që ecën dhe i largohet vendit të tij për shkak të kolapsit (financiar apo njerëzor) dhe emigrantëve ekonomikë që ndan dhe strukturon të parin.

Metoda e profesoreshës në teorinë politike në “London School of Economics” ishte ajo e kredhjes në të kaluarën e ndjesive të reja për të venitur mendimet e vjetra, prapanike.

Ajo e nis me historinë e një burri nga Pokleku i cili kishte kaluar kufirin për në Shqipëri në vitin 1999.

Asokohe, Ypi përmes ritregimit të saj zbulon se punoi për Kryqin e Kuq si përkthyese fillimisht, për të bërë dallimin mes kosovarëve “autentikë” dhe atyre “të fajshëm” së dyti.

Kujtojmë që gjatë ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi, qindra mijëra refugjatë kosovarë kaluan kufirin.

“Të parët po iknin nga fushata e spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviç-it. Këta të fundit ishin shqiptarë të dëshpëruar që pretendonin se ishin kosovarë, në mënyrë që të merrnin ushqim falas. Meqenëse shumë dokumente identifikimi ishin shkatërruar, vetëm një vendas mund të bënte dallimin”, i drejtohet vetes Ypi në artikull.

Në atë kohë, shkruan mendimtarja, u ndjeva pjesë e një misioni fisnik.

Kjo e fundit, kishte të bënte me mbrojtjen e kufirit midis “së vërtetës dhe gënjeshtrës, refugjatëve dhe mashtruesve, nevojës së vërtetë dhe manipulimit të sistemit”.

Në të njëjtat pozita, shqyrton profesoresha, ndoshta ndihen sot shumica e njerëzve që reflektojnë mbi emigracionin, duke tërhequr një vijë midis përfituesve të merituar dhe të pamerituar të ndihmës.

Dallimi midis azilkërkuesve të vërtetë dhe migrantëve të paligjshëm ekonomikë është vendimtar për të vendosur se cili pranohet e kush përjashtohet, vijon ajo – të parët shihen si viktima, të fundit si kriminelë.

Shqipëria ishte teknikisht e sigurt në vitin 1999, kur erdhën qindra mijëra refugjatë kosovarë.

Megjithatë, shumica e njerëzve ishin të dëshpëruar, vëren Ypi, të paaftë për t’u rikuperuar nga kolapsi i skemave financiare mashtruese.

“Ata që u përpoqën të iknin ose vdiqën në det ose u kthyen menjëherë. Në fund të fundit, ata ishin emigrantë ekonomikë, megjithëse të njëjtët njerëz në përgjithësi do të përkufizoheshin si azilkërkues nëse komunizmi nuk do të kishte rënë së fundmi”, pohon mendimtarja.

Në atë periudhë ajo tregon se një pjesë e konsiderueshme e diasporës shqiptare mbërriti në Britaninë e Madhe.

Sipas saj, ata ishin viktima të të njëjtit kolaps: emigrantë ekonomikë të maskuar si refugjatë kosovarë.

Por, ata nuk kishin lidhje me Kosovën. Në Mbretërinë e Bashkuar, nuk u dha asnjë amnisti dhe disa ranë pre e krimit të organizuar, kujton Ypi.

Në këtë moment, ndërsa shteron dy konceptet tematizues, profesoresha sqaron se në sipërfaqe, dallimi midis një refugjati dhe një migranti ekonomik ka kuptim.

Për të parën, lidhja kontraktuale me vendin e lindjes është prishur në mënyrë të pariparueshme.

T’u ofrosh atyre strehim nuk do të thotë vetëm për të lehtësuar barrën e vuajtjes, por për të rivendosur simbolikisht kuptimin demokratik të përkatësisë politike.

Por që përfaqësimi politik të funksionojë, rregullat formale nuk mjaftojnë, thekson mendimtarja shqiptare.

Tre shembuj i mjaftojnë asaj: një pacient që humbet jetën në pritje të një ambulance, pensionisti i moshuar që ngrin për vdekje në shtëpi, një i papunë që është i paaftë për të ushqyer fëmijët e tij.

“Ne nuk i mendojmë këto si dështime sistematike, sepse e barazojmë demokracinë me procedurat formale: të drejtën për të votuar, për t’u shoqëruar me të tjerët, për të folur lirshëm”, shpreh Ypi në reflektimin e saj të parë të botuar në gazetën britanike.

Megjithatë për çështjet ekonomike, shton ajo, ne priremi të fajësojmë individët dhe jo institucionet.

Shqiptarët e sotëm, sipas profesoreshës së LES-së, janë njëkohësisht, viktima të izolimit komunist dhe kolapsit të tij, të terapisë shokuese të shkaktuar gjatë viteve nëntëdhjetë, të krizës së madhe financiare, të pandemisë dhe tani të krizës së inflacionit dhe energjisë.

Në të ardhmen, ata do të duhet të bëjnë llogaritë edhe me emergjencat mjedisore, bashkangjit mendimtarja.

Migrimi nuk ka të bëjë me atë se kush hyn dhe kush mbetet jashtë, por se kush korr përfitimet e globalizimit dhe kush mban barrën, ravijëzon në përmbyllje Lea Ypi.

“Kufijtë, si ata që kalojmë gjeografikisht, ashtu edhe ata që ndërtojmë mendërisht, janë gjithmonë çështje konvencionale, shpesh të trashëguara në mënyrë jokritike nga rrëfimet e elitave të privilegjuara në shtetet e privilegjuara. I tillë është dallimi midis migrantëve ekonomikë dhe azilkërkuesve politikë: ligjërisht i besueshëm, natyrisht, por ende i përhumbur moralisht”, shkruan profesoresha shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore