Lajme

Cilët janë rebelët e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK)?


Turqia ka nisur një ofensivë të re tokësore dhe ajrore ndërkufitare kundër militantëve kurdë në Irakun Verior.

“Avionët dhe artileria turke goditën objektivat që i përkisnin Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) përpara se trupat komando, të mbështetura nga helikopterë dhe dronë, të kalonin në rajonin fqinj nga toka ose të transportoheshin me helikopterë”, njoftoi ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Grupi, shkruan Albanian Post, ka baza në Irakun Verior, territor të cilin e ka përdorur për sulme ndaj Turqisë.

Cilët janë rebelët e PKK-së?

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) është një organizatë e armatosur terroriste.

Ajo cilësohet si e këtillë nga shumë vende, duke përfshirë anëtarët e Bashkimit Evropian (BE) dhe të tjerë si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia.

Bashkimi Evropian e përcaktoi PKK-në si një entitet terrorist në 2004. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) gjithashtu i referohet PKK-së si një entitet terrorist.

E themeluar në vitin 1974 dhe duke marrë funksione paraushtarake në 1984, PKK-ja marksiste-leniniste dhe separatiste ka përdorur dhunë dhe terrorizëm në ndjekje të shkëputjes kurde nga Republika e Turqisë.

Veprimet dhe taktikat terroriste të PKK-së kanë çuar në dhjetëra mijëra vdekje ushtarake dhe civile gjatë dekadave të fundit, duke penguar stabilitetin e qëndrueshëm në Turqinë Juglindore.

Turqia Juglindore është përfshirë nga dhuna që prej rënies së armëpushimit me PKK-në në korrik të vitit 2015.

Financimi i PKK-së bazohet në burime të ndryshme. Ndër to edhe trafikimi i lëndëve narkotike. Në një numër vendesh evropiane ka hetime të vazhdueshme dhe çështje gjyqësore në lidhje me financimin e tyre.

Objektivat kryesore të PKK-së përfshijnë asetet policore, ushtarake, ekonomike dhe sociale në Turqi. Gjithashtu sulmon civilët dhe objektet diplomatike dhe konsullore.

A ka ndonjë iniciativë paqeje?

PKK-ja pësoi një goditje të madhe në vitin 1999, kur udhëheqësi i saj, Abdullah Oçalan, u arrestua dhe u burgos për tradhti.

Abdullah Ocalan

Në mars 2013, ai thirri një armëpushim dhe u kërkoi forcave të PKK-së të tërhiqen nga Turqia. Por ai armëpushim u prish në korrik 2015.

Nuk ishte hera e parë që shpallej një armëpushim.

Menjëherë pas arrestimit të Oçalanit, PKK-ja prezantoi planin e një armëpushimi të njëanshëm pesëvjeçar dhe u përpoq të ndryshonte imazhin dhe të zgjeronte apelin e saj.

Oçalan bëri thirrje për një rol në politikën e Turqisë, më shumë të drejta kulturore për 15 milionë kurdët e vendit dhe lirimin e anëtarëve të burgosur të PKK-së.

Turqia refuzoi të negocionte me të dhe ofroi vetëm një amnisti të kufizuar për anëtarët e saj.

Midis 2009 dhe 2011, bisedimet sekrete të nivelit të lartë u zhvilluan midis PKK-së dhe qeverisë turke në Oslo, Norvegji, por ato u rrëzuan pas një përleshjeje në qershor 2011, në të cilën u vranë 14 ushtarë turq.

Më 14 tetor 2009, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) shënjestroi udhëheqjen e lartë të PKK-së, duke caktuar Murat Karayılan, kreun e PKK-së dhe anëtarët e lartë Ali Riza Altun dhe Zübeyir Aydar si trafikantë narkotikësh, përcjell Albanian Post.

PKK-ja vazhdon gjithashtu aktivitetet e saj sistematike të rekrutimit të të rinjve që jetojnë në vendet evropiane dhe i trajnon ata në kampe të ndryshme.

Gjithashtu, PKK-ja ka degë dhe filiale në Iran, Siri dhe Irak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore