Përballje

Cikalleshi: Do të kërkojmë fitoren në Angli


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, u shpreh mjaft optimist para ndeshjes që kuqezinjtë do ta zhvillojnë përballë Anglisë në udhëtim.

Në konferencën për media, Cikalleshi tha se nëse do të luajnë me zemër, mund t’ia dalin në këtë takim.

“E dimë se do të jetë një nga ndeshjet më të vështira në kohët e fundit. Por, nëse kthehemi pas në kohë, mund të përmend ndeshjet me Portugalinë dhe Francën. Të përsërisim shpirtin e garës dhe të kemi disiplinë taktike”, tha fillimisht Cikalleshi.

Sulmuesi kuqezi u rikthye në formë pasi mposhti koronavirusin, duke shënuar dy gola në ndeshjen e fundit me ekipin e tij, Konyaspor.

Ai shpreson që të njëjtën gjë ta bëjë edhe në ndeshjen ndaj kombëtares së “tre luanëve”.

“Jam rikthyer më i fortë pas Covid-it, e kam treguar me ekipin ku luaj. Ndihem shumë mirë dhe si sulmues do të bëj më të mirën, pse jo të gjej edhe golin. Do të kem përballë një nga mbrojtjet më të mira në botë”, shtoi sulmuesi shqiptar.

Mes tjerash, sulmuesi nga Kavaja përmendi edhe tifozët shqiptarë, të cilët priten të jenë një numër i madh në shkallët e stadiumit “Wembley”, i cili shpreson që të dalin të gjithë të kënaqur nga ai takim.

“Në çdo vend ku kemi luajtur, tifozët tanë nuk kanë munguar. Jam i sigurt që do të jenë edhe në ndeshjet në vazhdim. Janë një shtysë për ne dhe të gjithë bashkë mund të arrijmë gjëra të bukura. Urojmë që në fund të ndeshjes të dalim të kënaqur nga rezultati ose nga shpirti i garës”, tha mes tjerash Sokol Cikalleshi.

Kujtojmë që Shqipëria do të përballet me Anglinë në udhëtim më 12 nëntor në ora 20:45.

Kuqezinjtë aktualisht gjenden në vendin e tretë të GrupitI, me 15 pikë të grumbulluara, dy më pak se Polonia e vendit të dytë dhe pesë më pak se Anglia lider.

Pas kësaj ndeshje, Shqipëria do ta zhvillojë ndeshjen e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, përballë Andorrës në “Air Albania”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore