Sport

Chelsea fokusohet vetëm te Onana pasi Milani nuk lejon transferimin e Maignan


Chelsea tani do të fokusohet vetëm te transferimi i portierit të Inter-it, Andre Onana.

Blutë e Londrës ishin të interesuar fillimisht për portierin e Milan-it, Mike Maignan, por kuqezinjtë nuk e kanë ndërmend ta shesin gardianin e tyre.

Onana impresionoi në finalen e Ligës së Kampionëve me disa pritje të mëdha derisa u mund nga goli i vetëm i Rodri-t në ndeshjen e Stambollit ndaj Manchester City-t.

Sipas gazetës “Evening Standard”, Chelsea tani e ka bërë Onana-n objektivin e tyre kryesor për portën dhe përballet me konkurrencën nga Manchester United, i cili tashmë kishte ndjekur ndërkombëtarin kamerunas.

Ai u transferua si lojtar i lirë nga Ajax-i në verën e kaluar dhe bëri një ndikim të menjëhershëm në skuadrën që arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, fitoi Kupën dhe Superkupën e Italisë.

I njëjti raport thotë se Chelsea fillimisht ishte përpjekur të shkonte për Maignan, por Milani donte rreth 90 milionë euro për t’u ndarë me portierin francez.

Çmimi i kërkuar për Onana-n ka të ngjarë të jetë dukshëm më i ulët, por ende 50 milionë euro.

Në rast se e shet kamerunasin, Inter-i tashmë ka një zëvendësues të rreshtuar në formën e portierit të Empolit, Guglielmo Vicario.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore