Shqipëria

Çfarë ofrojnë zgjedhjet e 25 prillit?


Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë ndryshe nga ato që ka pasur më herët politika shqiptare. Këtë radhë votuesit shqiptarë do të votojnë me “dy mundësi zgjedhjeje”. Ata do të votojnë partinë politike dhe kandidatin e preferuar brenda listës.

Kë do të avantazhojë ky sistem i ndryshuar? Cila parti do ketë fatin të përfitojë nga kjo?

Partia Demokratike ka bërë pjesë të listës së saj disa aleatë, ndërsa ka lidhur një marrëveshje për koalicion pas-zgjedhor me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Partia Socialiste, si një ndër partitë më të mëdha në vend, ka vendosur të garojë e vetme.

Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, në një prononcim për Albanian Post u shpreh se ky sistem avantazhon dy partitë kryesore.
Patozi, ndryshimet elektorale nuk i sheh si të tilla.

Astrit Patozi, kryetari i Partisë Bindja Demokratike

“Ajo që quhet listë e hapur, në fakt nuk është e tillë. Është listë e mbyllur, siç ka qenë para katër  viteve, ose që nga viti 2009. Kjo është një lloj thike pas shpine që qeveria i ka bërë shoqërisë shqiptare, e cila ishte e etur për liri në zgjedhje”.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, zgjedhjet e 25 prillit i konsideron si konfirmim i rritjes së LSI-së, ndryshe nga sondazhet që ai i quan të “kalkuluara dhe të manipulueshme”, të cilat rezultojnë negative për këtë parti.

Luan Rama, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

“Në këto zgjedhje, përveçse votë kundër rilindjes dhe qeverisë së saj, është edhe një votë plebishitare ose do të jetë një votë plebishitare për të konfirmuar vullnetin qytetar që është kundër këtij modeli qeverisës që ka implementuar për fat të keq Edi Rama”.

Publicisti Blendi Fevziu, futjen e aleatëve të PD-së në vende të sigurta në listë, e shikon si detyrim i saj ndaj këtyre partive, duke vënë theksin në djegien e mandatave në vitin 2019.

Blendi Fevziu, publicist dhe drejtues i emisionit “Opinion”

“PD-ja kishte një detyrim ndaj këtyre aleatëve, sepse këta aleatë u tërhoqën nga Parlamenti me PD-në, ndoqën çdo vendim që u mor, e ndoqën në çadër përpara kësaj. Aleatët do t’i përfshinte, sepse votat e aleatëve të mbledhur mund të shkojnë rreth 200 mijë”.

Sipas Fevziut, PD ka qenë në një operacion të detyrueshëm që të lidhet me këta persona.

Ndryshe nga Blendi, Taulant Balla, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, futjen e këtyre aleatëve në listë të PD-së, e konsideron si heqje përfaqësimi të demokratëve.

Taulant Balla, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste

“PD-ja, edhe vetë ka pranuar që do të jetë prapa PS me një diferencë të madhe. Por, unë mendoj që është gabimi më i madh, t’u heqësh të drejtën demokratëve të votojnë përfaqësues realë të tyre. Në 10-shen e parë, pjesa më e madhe nuk janë përfaqësues të PD, por janë qoka të disa njerëzve që u ka ngelur vetëm vula e partisë, pasi vota nuk ka”.

Kjo është ajo që shfaqet në sipërfaqe të “natyrës politike”. Ajo që do të ndodhë me partitë brenda tyre dhe në marrëdhënie me të tjerët, i mbetet datës 25 prill që ta vulosë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore