Lajme

Çfarë ngjau gjatë vitit 2021 në Bosnje dhe Hercegovinë?


Harta etnike e Bosnjës dhe Hercegovinës

Bosnja dhe Hercegovina, njëra nga shtetet me kompozitën më të komplikuar etnike, gati se tërësisht të antagonizuar, është kthyer në vëmendjen jo vetëm të rajonit, por edhe të botës.

Jehona e jetës politike dhe institucionale nisi të rezonojë me atë të viteve të të 90-ta. Veprimet, retorika, disponimi, polarizimi, ngërçi, moskompromisi, mbesin gjithandej.

Në anën tjetër korrupsioni dhe krimi i organizuar, shënojnë shifra prej më të lartave në indekset ndërkombëtare.

Ndonëse jo në ndonjë dimension rrënjësisht të ri dhe të panjohur, Bosnja dhe Hercegovina, gjendet përbrenda një krizeje, që edhe i tërë komuniteti ndërkombëtar e ka cilësuar si “kriza më e madhe pas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit” që i dha fund luftës në BeH në vitin 1995.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit

“Burri i fortë serb” i kësaj situateje problematike ishte anëtari serb i Presidencës tri-palëshe të Bosnjës dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili në mungesë të presionit ndërkombëtar dhe forcave të reduktuara ndërkombëtare në vend, ka orientuar politikbërjen e tij secesioniste, drejt një shpalljeje të mundshme të pavarësisë së entitetit të “Republika Srpska”-s nga BeH.

Kriza vetëm sa u thellua me miratimin e ligjit për dënimin e mohimit të gjenocidit të Srebrenicës, nga ish-Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar për BeH, Valentin Inzko, pas miratimit të të cilës, Millorad Dodik dhe partia e tij në pushtet Aleanca e Bashkuar e Socialdemokratëve (SNSD), kanë bllokuar punën e të gjitha institucionet e shtetit.

Dodik ka ngurtësuar qëndrimin e tij edhe ashtu gjithmonë të betonizuar, se “nuk kthehem në institucione pa u tërhequr ligji i Inzko-s”.

Millorad Dodik

Madje Millorad Dodik dhe partia e tij e kanë çuar “lojën” edhe më tej, duke miratuar konkluzionet për bartjen e kompetencave dhe juridiksionit nga niveli shtetëror në atë entitar, të cilat priten të dalin edhe në Gazetën Zyrtare të entitetit serb, dhe pas gjashtë muajve të rishikohen.

Në anën vjetër, kroatët, duke qenë populli konstituentë i tretë për nga numri, dhe nën frikën se do të mbeten irelevantë në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, kanë propozuar ligj të ri zgjedhor që do t’i lejonte të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre politik, gjë që nuk është tani.

Për një gjë të tillë edhe Matthew Palmer është angazhuar nga ShBA si “Përfaqësues i Posaçëm i ShBA-së për Reformën Zgjedhore në BeH”.

Matthew Palmer

Ndërsa boshnjakët, gati se njëjtë si në vitet e 90-ta, mbështetet krejtësisht në komunitetin ndërkombëtar për ndihmë, ndërsa dy popujt e tjerë konstituent, respektivisht serbët dhe kroatët, kanë shtetet e tyre patrone mu anës tjetër të kufirit.

Millorad Dodik ka lajmëruar formimin e Ushtrisë së Republika Srpska-s (VRS), gjë që ka ngritur alarm mbarëbotëror për frikën e shpërthimit të një konflikti të ri ndëretnik, frika ndaj së cilës përçohet anembanë Ballkanit Perëndimor për një efekt zingjiror potencial të konflikteve etnike në rajon.

Përfaqësuesi aktual i Lartë për BeH, Christian Schimdt, në raportin e hartuar për Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka shkruar se “prospekti për ndarje të mëtejshme dhe konflikt është tejet real”.

Christian Schimdt

Shumë boshnjakë, thonë se plagët nga e lufta e kaluar janë ende të hapura, dhe se në rast të një përshkallëzimi do të largoheshin nga vendi.

Dodik vetvetiu thotë se nuk do të ketë luftë, por “shpërbërje paqësore të Bosnjës”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur gravitetin e angazhimit të tyre në BeH, dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas vizitës së parë në Presidencës e BeH-së, theksin e vuri në dy gjëra, të cilat “nuk do të jenë”.

“Nuk do të ketë luftë në BeH”, dhe “Nuk do të ketë ushtri të Republika Srpska-s”, siguroi Gabriel Escobar.

Gabriel Escobar

Ndërsa, edhe qeveria e re gjermane, me të marrë mandatin, ka deklaruar sanksione ndaj Millorad Dodik, dhe kanë kërcënuar se në rastin e veprimeve të mëtutjeshme që minojnë dhe shkatërrojnë “sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së”, Republika Srpska “do të izolohet ekonomikisht”.

Në anën tjetër Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë ambig, dhe ka lënë shumë gjëra për t’u interpretuar, sa i përket lëvizjeve të aleatit të tij Millorad Dodik, duke thënë se “me të nuk pajtohem për gjithçka, por për këtë nuk dua të flas publikisht”.

Millorad Dodik dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Vuçiç e ka përkrahur qëndrimin e Dodik ndaj asaj që ky i fundit e quan “rikthim në Dejtonin origjinal”, dhe ka deklaruar haptazi se nuk do t’i përkrah sanksionet ndaj tij.

Madje Vuçiç, e ka lënë të hapur “çështjen e të drejtës së parimit të vetëvendosjes së popujve”, në rastin e entitetit serb Republika Srpska me Serbinë.

“Pse shqiptarët guxojnë të flasin për bashkim kombëtar, dhe serbët jo”, kishte deklaruar zëshëm Vuçiç.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, i ka intonuar ndjenjat dhe shpresat nacionaliste sa i përket Republika Srpska-s, dhe jo vetëm, me tregimin e tij të ashtuquajtur për krijimin e “Botës Serbe”.

Për këtë gjë, edhe në rrugët e Banja Llukës e “nderuan” me një mural kushtuar tij, me mbishkrimin se “bashkimi i serbëve tani më po ndodh, dhe kjo gjë nuk mund të ndalet”.

“Detyrë e kësaj gjenerate politikanësh serbë, është krijimi i botës serbe”, kishte deklaruar në një tubim të Partisë Socialiste Serbe, Aleksandër Vulin.

Murali i Aleksandar Vulinit në Banja Llukë

Ai gjithashtu, kishte vënë theksin se “serbët do t’i mbrojmë kudo që janë, po qe nevoja edhe ushtarakisht”.

Millorad Dodik as që u referohet boshnjakëve si boshnjakë, por si myslimanë, dhe thotë se “ata duan shtet islamik”.

Pyetur nga gazetarët pse u referohet si myslimanë dhe jo boshnjakë, ai u përgjigj se “unë jam rritur në një kohë kur myslimanët kanë qenë pakicë zyrtare në Ish-Jugosllavi” dhe se për të “ashtu do të jetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore