Shqipëria

“Çështja Gërdeci”, Kthupi për AP: Heqja dorë nga gjykimi i shkurtuar ekskluzivitet i të pandehurit, procesi do të jetë i gjatë


Heqja dorë nga gjykimi i shkurtuar.

Kjo ka qenë kërkesa e avokatëve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme.

Siç shpesh ka ndodhur në gjykimin ndaj tij, seanca u shty për 8 shtator.

Trupa gjykuese deklaroi se këtë kërkesë duhet ta bëjë vetë i akuzuari.

Kështu, nëse pranohet për të do të ekzekutohet gjykimi i zakonshëm.

Sa i përket kësaj çështje Albanian Post ka komunikuar me avokatin Rezart Kthupi.

Ky i fundit bëri me dije se “së pari heqja dorë nga gjykimi i shkurtuar është ekskluzivitet i të pandehurit. Gjykata nuk ka tagër ta refuzojë një kërkesë të tillë”.

Kthupi tregon për ndryshimet që do të pësojë procesi me gjykimin normal.

Ndryshe nga ai i shkurtuar, avokati ravijëzon se “provat shqyrtohen dhe nuk merren të mirëqena nga palët”.

“Kjo do të sjellë një proces shumë të gjate në të cilin çdo akt shkresor apo dëshmi duhet t’i nënshtrohet debatit gjyqësor”.

Sa i përket interesit të palëve të përfshira ai përsiati se “nuk mund të them kush mund të dëmtohet”, por “e sigurt është që procesi do të zgjasë shumë kohë”.

“Interesi i mbrojtjes së të pandehurit mund të jetë nga njëra anë debati gjyqësor mbi çdo provë dhe nga ana tjetër zgjatja e procesit në afate shumë të gjata”.

 Çfarë ka ndodhur?

109 persona të plagosur dhe familjarë të viktimave kanë dërguar dokumente përfaqësimi në Gjykatë.

Kjo u bë shkak që seanca e 7 korrikut të shtyhet për një pasaktësi në këto prokura të paraqitura nga avokati i familjarëve, Dorjan Matlia.

Kujtojmë se Fatmir Mediu është shpallur i pandehur për çështjen “Gërdeci”, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.

Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Ndërsa tani pritet që trupa gjykuese të pranojë heqjen dorë nga procesi normal.

Më 10 janar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.

Kjo pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhet me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?

Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit, që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.

SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.

Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet.

Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.

Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shpërthimi i Gërdecit

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.

Si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore