Lajme

Çështja e Kryeprokurorit, Molliqaj: Hera e dytë që LDK i ofrohet më shërbime pushtetit


Dardan Molliqaj

“Është hera e dytë që Lidhja Demokratike e Kosovës i ofrohet me shërbime pushtetit”, ka thënë Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj.

Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka kritikuar LDK-në, pasi që e njëjta nuk i ka dhënë nënshkrimet e deputetëve të saj për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese mosdekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit nga ana e presidentes Vjosa Osmani.

“Kësaj here duke mos i dhënë votat për ta dërguar në Kushtetuese çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Hera e parë ishte vota në Kuvend për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme”, ka shkruar Molliqaj.

Pushteti autoritar, pohoi Molliqaj, duke iu referuar qeverisë së Albin Kurtit, “nuk bën dot pa veglat e tij”, derisa ka shtuar se “Prokuroria është organi i akuzës”, prandaj, ka vlerësuar ai, “e do me çdo kusht, me çdo çmim”.

“Nuk jemi në fillimin e mandatit, nuk janë 100 ditët e para. Pushteti e ka dëshmuar qëllimin e tij me drejtësinë: kapje me çdo kusht. Duan dominim politik në KPK përmes anëtareve që zgjidhen nga Kuvendi”, shtoi.

Kjo, sipas tij, nënkupton që dora e kryeministrit “mbërrin deri te Kryeprokurori, edhe atë ligjërisht”.

“Nuk janë fshehur, vazhdojnë njëjtë edhe pas goditjes nga Komisioni i Venecias, edhe pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.

“S’mund të jetë rrugë e re një teknologji llogaritare që e çon partinë në shërbim të shërbyeses me titull presidencial”.

Në përfundim të reagimit të tij, kreu i PSD-së theksoi se “kohët e errëta kanë ardhur jo vetëm prej atyre që s’kanë parë, kanë ardhur sidomos prej atyre që kanë heshtur sepse kanë menduar për vete”.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte dërguar për herë të dytë emrin e Blerim Isufajt për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit tek Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 1 nëntor, përkundër se kjo e fundit kishte refuzuar ta dekretojë më 17 tetor, duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.

Osmani gjatë një konference për media muajin e kaluar, kishte thënë se nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Isufajn, meqë sipas saj, procesi është cilësuar “si i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat kanë evidentuar “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”.

Madje, e para e shtetit po ashtu pati theksuar se “ka marrë kërcënime” nga disa persona për hezitimin e saj që ta dekretojë Isufajn.

Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Isufaj aktualisht është Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Ndërsa, ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Më 20 prill të këtij viti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nën dyshimin për keqpërdorime me disa tenderë, kishte “sulmuar” Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Bëhet fjalë për një Kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa e shndërrojë në vrasje”, thoshte Kurti.

Për Isufajn, Kurti pati theksuar se nuk e ka të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet Kryeprokuror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore