Shqipëria

Çështja ‘Duma’, reagon Presidenti Ilir Meta


Presidenti Ilir Meta ka reaguar mbi ngjarjen e djeshme, ku kryeministri Edi Rama përdori një fjalor “provokues” sipas tij, ndërkohë që kishte përzgjedhur disa foto për kundërshtarët e tij politikë.

“Ja Kavaja, me Etienin? Që ka bërë një rrugëtim pa i ndarë studimet dhe që nuk pranoi asnjë post për të vazhduar studimet apo me ‘Gridare, gridare, gridare ohoho’”, ishin fjalët e Ramës gjatë aktivitetit të PS-së.

Në statusin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dënohet me ashpërsi dhuna verbale dhe linçimi publik, i papranueshëm, sipas tij, për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma.

“Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit”, lexohet më tej në status.

Presidenti i ka bërë thirrje kryeministrit të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin e përdorur ndaj zonjës Duma.

Për Grida Dumën kishte zgjedhur një foto të saj, ndërsa mbante një fjalim. Duma ishte kapur në momentin kur kishte gojën hapur, ndërkohë që mbante mikrofonin para.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Grida Dumës, duke i qëndruar fushatës zgjedhore dhe zhvillimit të saj.

Sipas Dumës, sot njerëzit dëshmuan dhe panë një njeri në panik, që nuk ka asgjë për të ofruar veç sulmeve. Ajo e mbyll statusin dhe fjalën e saj elektorale, duke premtuar se do të sillet ndryshimi që i nevojitet dhe që i ka munguar Shqipërisë këto 8 vite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore