Shqipëria

Certifikata shqiptare e vaksinimit mund të njihet nga BE


Në vijim të procesit të vaksinimit në mënyrë të vazhdueshme e me ritëm të lartë në Shqipëri, lajmi i radhës që vjen është ai i një njohjeje të mundshme të certifikatës shqiptare të vaksinimit nga vendet e Bashkimit Evropian, në atë që do të prezantohet si një certifikatë e integruar në sistemin Evropian.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite të saj në qendrën shëndetësore numër 1 në Tiranë, e cila shërben edhe si qendër vaksinimi.

Së fundmi, interesimi më i shtuar i vaksinimit është ai i studentëve. Kjo, për shkak edhe të fillimit të sezonit akademik 2021-2022. Sipas paralajmërimeve të mëparshme, pjesëmarrja në auditore do të lejohet vetëm për personat e vaksinuar ose duke paraqitur test negativ të COVID-19 brenda 72 orëve.

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër, i pranishëm në këtë vizitë, ka bërë apelin e radhës për vaksinim. Ai theksoi se sipas ekspertëve, vaksinimi, edhe nëse nuk parandalon infektimin, minimizon rrezikun për vdekje.

Ndërsa për studentët e pavaksinuar, e ravijëzoi se ata nuk do të lejohen në auditore të pavaksinuar.

Mbi dozat e vaksinave, ato janë tashmë mbi 2 milionë doza në Shqipëri. Brenda dhjetorit ndërkohë, sipas Manastirliut, do të shkojë totali në 3 milionë.

Të përdorura, janë përafërsisht 1.55 milionë. Një pjesë e mirë e tyre mbeten të papërdorura.

Në një prononcim për Albanian Post, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u bë me dije se mbi 400 mijë vaksinat, janë në gatishmëri për t’u përdorur. Kështu, duke siguruar edhe dozat e dyta për personat që e përfunduar fazën e parë të procesit.

Një tjetër aspekt i theksuar është ai i procesit të check-up-it, i cili ka rifilluar në shtator. Sipas mjekëve, së bashku me vaksinimin, kontrolli shëndetësor është çelësi për të shmangur fatalitetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore