Shqipëria

Çelet ekspozita “Të zgjedhurit” në 76-vjetorin e ekzekutimit të grupit të deputetëve


Kuvendi i Shqipërisë dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kanë çelur ekspozitën “Të zgjedhurit”.

E gjitha në kuadër të 76-vjetorit të ekzekutimit të grupit të deputetëve e intelektualëve që u dënuan njëkohësisht me ta më 10 tetor të vitit 1947.

Ekspozita është e vendosur në mjediset e jashtme në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Në çelje të ekspozitës ishin të pranishëm deputetë, familjarë të deputetëve të dënuar, shoqata të të përndjekurve dhe të kujtesës, përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të grupeve të interesit, të trupit diplomatik, të shoqërisë civile, medias dhe të rinj.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka theksuar se “ishte një nga goditjet më të rënda që iu dha parlamentarizmit shqiptar, por edhe demokracisë shqiptare”.

Sipas saj, parlamentarizmi ishte shtylla e parë e sistemit demokratik që u godit, për tu pasuar në vijim nga goditjet e tjera.

“Me këtë ekspozitë nderojmë kujtimin e grupit të deputetëve dhe kontributin e tyre për të ndërtuar një Shqipëri të lirë e demokratike, ëndërr dhe projekt që u ndërpre ende pa nisur mirë”, ka vijuar Nikolla.

Ekspozita, sipas saj, është një momentum për të reflektuar e shtuar kontributet për konsolidimin e vlerave dhe institucioneve demokratike në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore