Kosova

Çeku në Preshevë: Qeveria Kurti ka angazhime konkrete për të rritur bashkëpunimin kulturor


Hajrullah Çeku - Ministër i Kulturës të Republikës së Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është pritur në një takim nga kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani për të diskutuar çështjet e përbashkëta mes dy vendeve.

“Kënaqësi dhe nder i veçantë të jem këtu. Jam shume i lumtur që si vazhdimësi e përpjekjeve të Qeverisë Kurti për ta shtyrë përpara bashkëpunimin me Luginën të kontribuojmë edhe me dimensionin bashkëpunimit kulturor” është shprehur Çeku.

Në këtë takim, Çeku theksoi se do të ketë angazhime konkrete për të rritur mobilitetin kulturor mes institucioneve të të dyja vendeve.

“Ne i diskutuam çështjet e përbashkëta dhe jam shumë i lumtur që do të kemi angazhime konkrete për të rritur mobilitetin kulturor, bashkëpunimin kulturor mes institucioneve dhe natyrisht për ta parë edhe një dimension të bashkëpunimit në sferën e trashëgimisë kulturore si një nga elementet kryesore që nxisin edhe pjesën sociale, ekonomike”, ka thënë ai.

Hajrullah Çeku – Ministër i Kulturës të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq nga ana tjetër vizitat e ministrave të Qeverisë së Kosovës në Luginë, Sinani, po i sheh si frymëzuese e inkurajuese.

“Po tregohet një interesim jashtëzakonisht shumë i madh kohëve të fundit për sensibilizimin e pozitës shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e Prishtinës zyrtare, sidomos vizita e Çekut na bënë që të ndjehemi më krenar dhe të gjejmë forcë për të vazhduar dhe të çojmë përpara të gjitha këto procese përpara”, është shprehur ajo.

Sipas saj, trashëgimia kulturore është një burim i rezistencës, dhe këto vizita janë një shtytje për të ecur përpara.

Kultura dhe trashëgimia kulturore janë burim i rezistencës dhe ne me këtë rezistencën tonë dhe diskriminimit të vazhdueshëm që po bëhet nga Beogradi zyrtar përmes këtyre mekanizmave duke ruajtur mekanizmat, duke ruajtur trashëgiminë, kulturën janë këto shtytje për të çuar gjitha këto përpara.

Ajo theksoi se në takimin me ministrin, përveç trashëgimisë kulturore janë diskutuar mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës.

“Ne me ministrin biseduam përmes mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës që janë në linje buxhetore se si duhet të ndahen dhe të menaxhohen dhe t’i shpërndajmë ato mjete. Përveç simbolikës për ne është shumë e rëndësishme institucionalizimi i këtyre mjeteve, vija buxhetore e cila ka ndodhur për herë të parë përpos krahas ndihmave që janë dhënë në vazhdimësi nga gjitha qeveritë e mëparshme”, tha ajo.

Rikujtojmë se vizitë në Preshevë, bëri edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, muajin e kaluar.

Ndërsa katër ministrave të Kosovës, Liburn ALiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit dhe Hajrulla Cekut, Serbia ua kishte refuzuar kërkesën për vizitën me 27 dhe 28 nëntor të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore