Lajme

Çdo deputeti do t’i paguhet nga një këshilltar ekstra – kështu vendoset me rregulloren e re


Foto nga Albanian Post

Deputetët e Kosovës me gjasë kanë shumë punë, prandaj për t’iu ndihmuar Kuvendi ka vendosur që t’ua paguajë edhe nga një këshilltar shtesë.

Siç mëson Albanian Post, në një nga seancat e radhës do të miratohet vendimin për “staf mbështetës profesional”.

Përveç pagës bazë prej 1 mijë e 547 eurove, shtesave për pjesëmarrjeve në seanca plenare që është 240 euro dhe kompensimit për mbledhje të komisioneve që është 160 euro, deputetë do të kenë buxhet shtesë edhe për nga një ndihmës profesional/këshilltar.

120 këshilltarët e rinj, aq sa ka deputetët në Kuvend, bëhet e mundur të emërohen në bazë të rregullores së re të Kuvendit të Kosovës të miratuar para 6 muajve.

Sipas Nenit 21 të kësaj rregullore “Të drejtat e deputetit”, veç tjerash, në pikën pesë thuhet se “në ushtrimin e funksionit të tij, deputeti duhet të ketë zyrë, mbështetje profesionale dhe teknike nga stafi politik i emëruar për këtë qëllim, siç përcaktohet me akt të veçantë të Kryesisë së Kuvendit”.

Ky nen nga rregullorja do të mundësojë punësimin e këtyre këshilltarëve të rinj.

Në një nga seancat e radhës, bazuar në nenin katër të po të njëjtës rregullore Kuvendi do të miratojë këtë “rregullore të brendshme”.

Se cila do të jetë paga fikse për këta këshilltarë të rinj ende nuk është bërë e ditur, por siç ka kuptuar Albanian Post, shuma është diku mbi 600 euro në muaj, 72 mijë euro në total për muaj, apo afër 900 mijë euro në vit.

Nuk dihet akoma as forma e përzgjedhjes së këtyre ndihmësve, nëse do jetë në diskrecionin e deputetëve të bëjnë përzgjedhjet, partisë, apo ndonjë formë tjetër.

Në përgjithësi, ka pakënaqësi me punën e deputetëve në Kosovë. Me dallime të vogla nga legjislatura në legjislaturë, por kryesisht agjenda legjislative asnjëherë nuk përfundohen, për shkak të mungesave të shumta të deputetëve.

Po ashtu, ka shumë deputetët që pothuajse kurrë nuk flasin në seanca parlamentare.

Aktualisht deputetët nuk kanë këshilltar personal, por grupet parlamentare brenda Kuvendit kanë këshilltar për grup dhe staf tjetër ndihmës.

Varësisht nga numri i deputetëve të një grupi parlamentar variron edhe numri i këshilltarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore