Shqipëria

Çbunkerizimi i PD-së nuk e zgjidh problemin e të djathtëve


Partia Demokratike, është pak të thuhet se po kalon një krizë të vërtetë identitare, pas një dueli thuajse shtatë-mujor mes ish-kryetarëve të saj, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës (i sapodorëhequr), me betejën e fituar nga i pari, i cili për të ruajtur pozitat e veta, zhbëri vetë krijimin e tij politik: Imazhin e Bashës.

Me vendimin e Gjykatës së Tiranës, Berishës dhe fraksionit të tij ju njohën ndryshimet statutore që kryen më 11 dhjetor 2021, gjatë punimeve të Kuvendit të thirrur nga anëtarësia.

Përpos njohjes, një fenomen i radhës pasues pas rikthimit të Berishës dhe ithtarëve të tij në seli, ishte edhe një proces, i pagëzuar prej tyre si “çbunkerizim” i partisë, pasi Basha kishte vendosur dyer e dritare të blinduara, duke parë trazirat që shkaktoi protesta e 8 janarit, ku u përballën demokratët e Berishës me godinën e Bashës.

Çbunkerizim, po më pas?

Situata në PD, pavarësisht se jo si më parë, mbetet ende kaotike dhe e paqartë.

Në këndvështrimin e analistit politik Ben Andoni, ky kaos po e ndalon PD-në të zhvillohet në aspektin strukturor.

Për Albanian Post, ai argumenton se ende, bashkimi kundërshtohet në thelb nga palët, ndërsa Berisha nuk ndalet në udhën për të qenë kryetar.

Çbunkerizimi sipas tij është thjesht një masë në dukje, ndërsa efekti, është ai i “bunkerizimit” total të PD-së.

Ai vijon duke thënë se është për të ardhur keq që ndarja është thuajse e njëllojtë, edhe pse grupimi Berisha ka peshën specifike të çastit. Por, këta të fundit, po mundohen të përshtasin një retorikë të vjetër, duke sfumuar partinë e ligjshme.

Për studiuesin e shkencave politike Julian Zyla, e djathta, do të jetë më e lumtur brenda vetes, pasi skepticizmat ndaj dominuesit të partisë, do të shkojnë drejt fshirjes dhe deri drejt bindjes se ky mund të jetë zhvillim pozitiv.

Forca e Berishës, argumentohet me forcën e tij në bazë sipas Zylës. Por ajo çfarë harrohet shton ai, është fakti se pa mbështetjen e bazës, ai zor se mund ta kishte atë forcë.

Çbunkerizimi, i pamjaftueshëm

Një pyetje që është shtruar në publik, është edhe ajo nëse heqja e blindave nga selia, është apo jo e mjaftueshme për ta zgjidhur problemin e PD-së.

Sipas të dy analistëve, rasti nuk është i tillë.

Zyla, mendon se dyert janë thjesht simbol i fitores së Berishës ndaj birit politik. Ndërsa, problemi me SHBA-të, është aty i pranishëm.

“Shqiptarët sot mund të lëvizin me vizë turistike deri në dhjetë vjet brenda dhe jashtë Amerikës”, paralelizon ai duke sjellë në vëmendje rastin e freskët të rritjes së vlefshmërisë së vizave amerikane për shqiptarët, nga tre në 10 vjet pas marrjes së tyre.

“Bindja e votuesve prej një partie e cila mund të ketë në krye një person që nuk mund ta marrë një vizë të tillë nuk është e lehtë”.

Sa i përket rastit Berisha, Zyla argumenton se ka edhe një çështje tjetër, pasi Berisha duhet të bindë qytetarët, se pse shpallja non grata e eksponentëve socialistë, është më e rëndë se e tija.

Kjo, pasi socialistët kishin vota, por ata në një mënyrë ose në një tjetër, u përjashtuan nga jeta politike e partisë.

Sipas Andonit nga ana tjetër, e djathta shqiptare e ka humbur busullën.

Në fjalët e analistit, PD-ja po e humbet identitetin e saj me një luftë pa princip për peshën e Berishës. Nga ana tjetër, publiku, pret më shumë prej tyre.

E vetmja gjë që hapja e dyerve ka arritur për të, është një zbutje në mënyrën si palët i drejtoheshin njëra-tjetrës.

Sa për lirimin e partisë, çbunkerizimi nuk ka pasur asnjë rol.

Çbunkerizimi, me kë?

Një tjetër çështje, e cila është artikuluar gjatë në opinionin publik, është edhe ajo e kreut të ri të PD-së.

Enkelejd Alibeaj, ka marrë përkohësisht drejtimin e saj dhe Andoni, shpreson se ai do e vijojë punën për pajtimin e dy pjesëve.

Por, së pari, duhet sqaruar se peshën e Berishës, nuk e ka asnjë nga anëtarët e tjerë në PD dhe vetë forca politike, duhet të gjejë një mënyrë për të identifikuar fillimisht anëtarësinë e saj, pasi dy kuvendet e zhvilluara, njëri më 11 dhjetor nga Berisha dhe tjetri më 18 dhjetor nga Basha, dhanë paradoks numrash.

Megjithatë, emra konkretë përtej Berishës, nuk ka në PD, edhe pse këtij të fundit sipas Andonit, i “duhet treguar qoshja…e nderit”.

Vend ndërkaq, duhet t’i lihet edhe njerëzve, të cilët sfidojnë me programe konkrete, si Fatbardh Kadilli, për të treguar se si mund të ngjallet partia.

Zyla, lundron në të njëjtat ujëra. Vetëm se, sipas tij, përgjegjësia nuk lind tek ata të cilët kandidojnë, por tek ata që i mbështesin.

Figura e kryetarit të një partie, është legjitime të vendoset vetëm nga anëtarësia e saj. Ndaj, kush kërkon të kandidojë, duhet të lejohet ta bëjë.

Veçse, sipas tij, PD-ja duhet të zgjedhë të jetë e drejtë në raport me forcat e brendshme, ose të jetë strategjike, duke i dhenë përparësi mundësive dhe mënyrave për të ecur përpara.

Mbi rezultanten ndërkaq, do të shihet pas çbunkerizimit, se si do të vijohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore