Art&dizajn

Camille Claudel – artistja që jetoi nën hijen e “muzës”


Përballë gjenisë së artistit që zakonisht personifikohet si burrëror, muza e artistit perceptohet si grua apo vajzë.

Në këtë marrëdhënie, artisti ka rolin aktiv dhe si rrjedhojë muza pasivizohet duke u objektivizuar.

Mbi të, projektohen dëshirat, fantazitë apo frikërat më të thella të vepërzuesit.

Skulptorja franceze Camille Claudel është shembulli i një artisteje që mbeti në hijen e partnerit dhe skulptorit Auguste Rodin.

Si e dashura e Rodin-it, Claudel reduktohej vetëm në të qenurit “dashnorja e tij”.

Camille Claudel

Ajo jetonte vetëm në sfondin e jetës së një prej mjeshtërve më të mëdhenj të botës së artit.

Roli i muzës shpesh siguron rehati seksuale, emocionale dhe praktike.

Zakonisht është një parantezë e sakrificës së femrës që krijon më pas figurën heroike mashkullore.

Pavarësisht kësaj, besohet se Claudel ishte më e talentuar se partneri i saj.

Auguste Rodin
Takimi 

Claudel u takua me Rodin-in në punishten e tij në moshën 19-vjeçare.

Ai ishte 24 vite më i madh dhe gjithashtu i martuar.

Rodin nuk do ta linte gruan për Claudel dhe donte që t’i mbante të dyja në jetën e tij.

Claudel u përball me shumë sprova si grua dhe si artiste femër.

Portretizimi i Claudel në film

Talenti i saj u njoh dhe u mbështet nga babai i saj, por anëtarët e tjerë të familjes së saj ishin kundër përfshirjes së Claudel në botën “skandaloze” të artistëve.

Megjithatë, si një grua në shoqërinë franceze të fund-shekullit të 19-të, mbështetja e familjes ishte vendimtare për mbijetesën e saj.

Vështirësitë

Skulptorja u detyrua të abortonte gjatë lidhjes së saj me një partner që po bëhej gjithnjë e më i pabesë.

Ndërsa marrëdhënia e tyre u përkeqësua, vepra e Claudel lulëzoi në mënyrë progresive, pasi ajo ekspozoi punën e saj në Sallonin e Parisit.

Vepra e Claudel – “Mosha e Maturimit”, njihet dhe me emrin “Fati”

Pas prishjes së marrëdhënies, për të cilën shumë besonin se ishte e lidhur me rivalitetin mes artistëve, Claudel u bë më e izoluar dhe obsesive.

Pavarësisht talentit të saj të dukshëm, fakti që ajo ishte një grua u kthye në një pengesë për mbështetjen dhe financimin që i nevojitej si artiste.

Pas vdekjes së babait të saj, familja e saj tërhoqi çdo ndihmë financiare dhe artistja përfundoi në varfëri ekstreme.

Skulptura asokohe ishte një biznes i kushtueshëm dhe armiqësia shtuar neglizhencës së ish-partnerit të saj, familjes dhe vetë botës së artit, të gjitha ndikuan tek Claudel.

Kjo e fundit po shfaqte shenja të mëdha shqetësimi.

“Valsi” – Camille Claudel
Fundi jo-romantik

Në vitet e para të shekullit të 20-të, një formular u nënshkrua nga vëllai i Claudel.

Ajo përfundoi në një azil, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve që tregonin se artistja ishte e shëndetshme.

Në këtë kohë, ishte e zakonshme që gratë të vendoseshin për një kohë të pacaktuar në azile dhe të etiketoheshin si të çmendura ose ‘histerike’.

Vepra “Njeriu i përkulur” i skulptores franceze Claudel

Gjatë mbylljes së saj, letrat që Claudel u shkruante miqve tregonin qartë se ajo ishte e kthjellët.

Megjithatë, Claudel u mbajt në azil për tridhjetë vitet e mbetura të jetës së saj.

Jeta e Camille Claudel nuk ishte romantikisht tragjike, por tregues i një kulture jashtëzakonisht sanksionuese ndaj grave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore