Lajme

Buxheti dyshohet se u dëmtua 600 mijë euro – Hajdari e “zemëruar” për arrestimin e dy zyrtarëve në MINT: S’kishte bazë ligjore, s’jam marrë kurrë në pyetje


Ministrja e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i ka dalë në mbrojtje dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Garës dhe Irfan Lipovicës, të cilët ishin arrestuar vitin e kaluar nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore, meqë vaji dhe gruri i paguar nuk mbërriti kurrë në Kosovë – ndërsa të njëjtit u liruan më vonë për t’u mbrojtur në liri.

“Zyrtarët janë marrë pa u kryer hetimet preliminare, a është e drejt kjo, ne jemi shumë të indinjuar. Dy kolegët e mi nga ministria janë marrë në mënyrë të shpejtë, meqë nuk ka pasur bazë ligjore për të kuptuar se e kanë keqpërdorur detyrën nëse një operator e ka vonuar furnizimin”, tha ajo gjatë një interviste në KTV në fund të muajit të kaluar.

Megjithatë, për këtë rast, ajo ka thënë se deri më tani nuk është intervistuar nga organet e rendit ose prokuroria, por thotë se është e hapur për çdo hetim “për ta ruajtur paranë publike të Kosovës”.

“Asnjëherë nuk jam marrë në pyetje për këtë çështje”, shtoi ajo, derisa përmes veprimeve të Garës dhe Lipovicës, nga Prokuroria Speciale ishte thënë se buxheti i Kosovës ishte dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Albanian Post pati raportuar për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërorë, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar Ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Deputetët e VV’së me bojkot e dështuan punën e Komisionit Hetimor për Rezerva Shtetërore – as ministria nuk i solli dokumentet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore