Lajme

Burri që gdhendi emra në murin e Koloseut është një turist që jeton në MB


Një burrë që është filmuar duke gdhendur emra në një mur në amfiteatrin e lashtë të Koloseut të Romës javën e kaluar është një turist që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.

Kështu ka bërë me dije policia italiane, e cila ka mundur ta identifikojnë atë dhe gruan me të cilën ishte nga fotot.

Por nuk ka përmendur emrat e çiftit.

Referuar disa mediave britanike, dyshja janë një çift që jetojnë në Bristol. Ata dyshohet se janë larguar nga Italia.

Burri përballet me një gjobë të madhe ose një dënim me burg deri në pesë vjet, nëse akuzohet dhe dënohet.

Ngjarja në kryeqytetin italian u filmua nga një tjetër vizitor, i cili e qortoi verbalisht burrin përpara se t’ia dorëzonte regjistrimin zyrtarëve të sigurisë.

Në video, burri shihet duke gdhendur “Ivan + Hayley 23” – që besohet se janë emrat e çiftit – në një mur të Koloseut.

Sakaq, incidenti shkaktoi një dënim të gjerë në Itali dhe në mbarë globin.

Ministri italian i Kulturës Gennaro Sangiuliano ka thënë se “ky akt ishte fyes për të gjithë në mbarë botën që vlerësojnë vlerën e arkeologjisë, monumenteve dhe historisë”.

Koloseu gati 2000-vjeçar është një nga simbolet më të njohura të Romës Perandorake dhe është vendi turistik më i njohur në Itali.

Është një vend i mbrojtur i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe konsiderohet të jetë një vend me “vlerë të jashtëzakonshme universale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore