Shqipëria

Burime qeveritare për Albanian Post: Mund të gjendet shumica në parlamentin bullgar për të votuar propozimin francez


Burime pranë qeverisë shqiptare kanë bërë të ditur për Albanian Post se mund të gjendet një shumicë në parlamentin bullgar për të votuar propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron.

Kjo e fundit do t’i hapte rrugën heqjes së veto-s ndaj Maqedonisë së Veriut e cila bllokon hapjen e negociatave të BE-së për Shqipërinë.

“Shumica e re në parlamentin bullgar votojnë ose të premten ose të hënën. Ka shpresa që po të votohet mund të gjendet një shumicë që të kalojë propozimin francez”, deklaroi zyrtari shqiptar në kushte anonimiteti.

Sipas burimit, kohët e fundit propozimin e Macron-it nuk e pranojnë autoritetet maqedonase.

“Nëse këta të fundit nuk pranojnë propozimin e Macron-it, atëherë ne do të ndahemi”, sqaroi zyrtari për Albanian Post.

Duke folur me gazetarët në fillim të samitit të Bashkimit Evropian, kryeministri bullgar Kiril Petkov shpjegoi se parlamenti duhej të nxirrte dritën jeshile për heqjen e vetos.

Vetëm atëherë, sipas tij, ai do të bënte lëvizjen që duhet të jetë e qëndrueshme me kalimin e kohës, pavarësisht se kush qeveris.

Petkov theksoi se opozita bullgare përdori çështjen maqedonase për të shantazhuar kabinetin e tij.

Kjo, sa herë që kishin frikë se do të zbulohej korrupsioni që nga koha e tyre në detyrë.

Ish-kryeministri u akuzua se bëri hapje në Shkup pas shpinës së parlamentit bullgar, i cili këmbëngul që të zbatohen disa kushte përpara se të hiqet vetoja.

Pa mbështetjen e partisë “Ka edhe njerëz të tillë”, Petkov humbi mocionin e mosbesimit, duke i hapur rrugë kështu paraardhësit të tij Bojko Borisov, i cili shpreson të kthehet në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme.

Situata e tensionuar politike në parlamentin bullgar pas votimit të mosbesimit, të miratuar një ditë më parë, nuk ndihmon për një zgjidhje të shpejtë të problemit të vetos.

Asnjë parti politike nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për një vendim që mund të kritikohet nga opinioni publik, veçanërisht me zgjedhjet në prag.

Partia kryesore e opozitës, GERB e Borisov-it, thotë se do të mbështesë një rezolutë për heqjen e vetos nëse Petkov e propozon atë.

Parlamentet në Sofje dhe Shkup duhet të miratojnë protokollin e seancës së fundit nga 3 qershori të komitetit të përbashkët Bullgari-Maqedonia e Veriut, i ngarkuar për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017.

Parlamenti bullgar mund të miratojë protokollin, por nuk është e sigurt se parlamenti në Shkup do të bëjë të njëjtën gjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore