Shqipëria

Burgu i Spaçit – pasqyra e thyer e realitetit të një shoqërie


Të paktë janë shqiptarët që mund të mos kenë dëgjuar për Spaçin. Jo nga ndonjë rrëfejnë mitike, as nga historitë e vjetra apo të reja. Spaçi njihet nga shqiptarët për një prej shëmtive me të mëdha te shekullit të shkuar. Për burgun e vendosur aty.

I ngritur në kodrën e Spaçit në Mirditë, ai është ndërtuar mbi një rrëpirë malore. Sipër tij ndodheshin pesë hyrje që të çonin në minierë, ndërsa e gjithë ndërtesa kishte pamje mbi lum. Për shkak të relievit ishte krejtësisht i izoluar nga malet përreth.

Historia

Ky burg u hap në vitin 1968 dhe rezistoi deri në vitin 1991, dy vite pas rënies së Murit të Berlinit. Një institucion i vuajtjes së dënimit shërbente për të mbajtur kundërshtarët më të fortë të regjimit komunist. Burgu është cilësuar si “gryka gllabëruese e vdekjes”.

Në vitin 1973 lindi dhe u shua revolta e të burgosurve. Sipas Luigj Milës, sekretar i Shoqatës Drejtësi dhe Paqe, e cila është marrë me promovimin e burgut si një destinacion historik, tha se gjatë kryengritjes dëgjoheshin thirrje si “poshtë komunizmi dhe poshtë Partia e Punës”. Të burgosurit kërkonin kushte më të mira dhe ushqim.

Revolta solli pasoja të rënda edhe për familjarët e të burgosurve që morën pjesë në atë protestë

Kujtesa

Gjatë një interviste me Albanian Post, Zenel Drangu, kryetari i Shoqatës së të Persekutuarve në Shkodër dhe ish-i burgosur te Burgu i Spaçit, rrëfeu se atje ka qenë një “mizori” e vërtetë.

Ai përshkroi edhe racionin ditor, që ishte 3.5 gramë vaj dhe 7 gramë sheqer.

“Puna e vështirë në miniera, ushqimi i pakët, kushtet e vështira dhe torturat e shumta që të burgosurit duhej të përjetonin çdo ditë nuk duhet të harrohen”.

Drangu tha se kishte vizituar edhe kampin famëkeq të Auschwitz-it dhe nuk kishte parë ndonjë ndryshim me burgun e Spaçit.

Ai shtoi se ishte më mirë të vdisje me vuajtje, siç ndodhte në kampet e përqendrimit sesa të vuaje në burgun e Spaçit për vite të tëra.

“Fundja, Auschwitz vetëm për pesë vite ka patur jetëgjatësi (maj 1940-janar 1945). Burgu i Spaçit qëndroi për plot 23 vite në këmbë”.

Ky i fundit akuzon qeverinë shqiptare për mungesën e investimeve në përkujdesjen e godinës.

Ai deklaroi që “qeverive u intereson që burgu i Spaçit të shembet. Në mënyrë që të harrohen të gjitha masakrat që janë bërë brenda atyre mureve”.

Por, shton ai, “një popull që harron të kaluarën, ka shanse ta përsërisë në të ardhmen”.

Përpjekjet për ta mbrojtur godinën

Komisioni Drejtësi dhe Paqe është një ndër organizatat jofitimprurëse që po përpiqet të promovojë burgun.

Sipas fjalëve të sekretarit të shoqatës, qëllimi i tyre është tregimi i historisë për brezin e ri, pa filtra, në mënyrë që gabimet të mos përsëriten.

Në vitin 2007, burgu i Spaçit u shpall zyrtarisht monument kulture, duke e bërë si vendin e vetëm të shtypjes komuniste në Shqipëri që iu dha ky status.

Pas kësaj, pati premtime për ta shndërruar sitin në një muze dhe një vend përkujtimi, shkruan BIRN .

14 vjet pas këtij vendimi dhe 30 vjet pasi burgu famëkeq mbylli dyert, ideja e hapjes së një muzeu atje është larg realizimit. Sfida më urgjente është të ndalosh shembjen e mureve të ndërtesës.

Albanian Post ka kontaktuar me zëdhënësen e Ministrisë së Kulturës. Ajo deklaroi që Ministria e ka shpallur burgun e Spaçit si monument kulture dhe mbrohet nga shteti.

Pyetjes se pse kanë munguar fondet për mirëmbajtjen e godinës, nuk i kanë kthyer përgjigje.

Përgjigjet për të vërtetat e ndryra në muret e Burgut të Spaçit mungojnë po ashtu. Copëzat e tyre ndodhen kudo ne gurët e rrokullisur nga shembja e ngrehinës nën peshën e heshtjes dhe lënies në harresë te historisë.

Qëmtimi i tyre nuk është veç nevojë e atyre jetët e të cilëve lidhen me këtë burg. Është detyrë e një shoqërie që mëton të lirohet nga prangat e së shkuarës të pashyrtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore