Lajme

Bundestagu voton pro dërgimit të armëve të rënda në Ukrainë


Bundestagu gjerman ka votuar pro furnizimit të Ukrainës me armë të rënda të enjten e 28 prillit.

586 nga 693 deputetë të pranishëm votuan pro, 100 ishin “kundër” dhe shtatë të tjerë “abstenuan”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili është përballur me kritika brenda dhe jashtë vendit për dështimin e qeverisë së tij për të dorëzuar armë të rënda në Ukrainë, premtoi dërgimin e armëve antitank dhe anti-ajror nga rezervat ushtarake gjermane, të cilat ai i përshkroi megjithatë si “armë mbrojtëse”.

Sipas Traktatit për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë, armët e rënda u referohen të gjitha tankeve dhe mjeteve të blinduara dhe të gjithë artilerisë 100 mm e lart.

Avionët luftarakë dhe helikopterët luftarakë gjithashtu klasifikohen si armë të rënda, përcjell Albanian Post.

Më herët, Gjermania ka thënë se nuk është në gjendje të dërgojë më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë, sepse atëherë ajo nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj kombëtare dhe të NATO-s.

“Këtu, tani duhet të pranojmë se opsionet që kemi, po arrijnë kufijtë e tyre”, tha Scholz të martën.

Bundeswehr-i ka thënë se i duhen armët e tij të rënda për të garantuar detyrimet e mbrojtjes kombëtare dhe të aleancës.

Kjo vlen, për shembull, për automjetet luftarake të këmbësorisë Marder ose topan vetëlëvizës 2000, një armë artilerie e rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore