Lajme

Bulliqi grushton qytetarin dënohet 500 euro, Hajdari godet fëmijën dënohet 200 euro – Gjoba të veçanta për pushtetin


Ilustrim: Shpejtim Bulliqi dhe Rozeta Hajdari

Për një tejkalim shpejtësie në zona të ndaluara mund të dënohesh mbi 300 euro e të merret leja e shoferit, sipas ligjeve të Kosovës, por për Ministren Rozeta Hajdari, ka standard tjetër.

Ajo, përkundër se ka goditur një të mitur nëntë vjeçare me makinë, është dënuar vetëm 200 euro dhe nuk i është marrë as përkohësisht patenta e shoferit.

Por, ky s’është rasti i parë kur aplikohet standard i dyfishtë për njerëzit e pushtetit.

Ishte edhe Shpejtim Bulliqi, kryetari i Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, që për sulm dhe grushtim ndaj qytetarit ishte dënuar vetëm 500 euro.

Përveç aplikimit të standardeve të tjera, Hajdari e Bulliqi e kanë edhe një të përbashkët.

Që të dy në mënyrë kategorike kishin mohuar përfshirjen në rastet respektive.

Vetë Bulliqi e kishte mohuar se e ka sulmuar viktimën. Kishte thënë se ishte ai që u ballafaqua dhe u gjendet në atë situatë pa fajin e tij.

Në anën tjetër, Hajdari, në një shpjegim paksa kontrovers, ishte arsyetuar se fëmija ishte ajo që e goditi veturën, dhe jo anasjelltas, ani pse super-ekspertiza kishte konstatuar se Hajdari ishte më shpejtë se sa duhet dhe nuk kishte frenuar me kohë në momentin kur kishte shkaktuar aksidentin.

Por, çfarë ndodhi?

Në prill të vitit të kaluar kryetari i Komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ishte dënuar me 500 euro gjobë dhe shpenzime të procedurës gjyqësore, pasi vitin e kaluar, pas një konfrontimi, e ka goditur me grusht një qytetar.

Vendimi kishte ardhur nga Gjykata Themelore, Dega në Podujevë, për rastin që kishte ndodhur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

“I pandehuri pas një mosmarrëveshje gojore me R. Z., tani i dëmtuar, me dashje i shkakton lëndim trupor në atë mënyrë që e godet të dëmtuarin me grusht në fytyrë në pjesën e majtë afër gojës”, thuhej në arsyetim të vendimit.

Pas këtij konfrontimi, viktimës “sipas ekspertizës mjeko-ligjore, i është shkaktuar lëndim i lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin”, thuhet në aktgjykim.

Prandaj, gjykata “të akuzuarin Sh. B.”, e kishte dënuar “ me gjobë në shumë prej pesëqind (500) Euro, të cilin dënim, i akuzuari ishte i detyruar të paguajnë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

Ndërsa të martën e 24 tetorit ministrja Rozeta Hajdari është dënuar vetëm me 200 euro gjobë për shpallje fajtore të goditjes së një vajze të mitur (vjeçare) me veturë.

Pos dënimit minimal prej 200 euro gjobë, meqë është shpallur fajtore, Hajdari duhet të paguajë edhe shumën prej 100 eurosh për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe shumën prej 900 eurosh për super-ekspertizën.

Kurse, për angazhimin e ekspertizës mjeko-ligjore duhet të paguajë shumën prej 50 eurosh.

Me 10 prill 2022 Rozeta Hajdari pasi kishte goditur me veturë një vajzë të mitur (9) kishte deklaruar në Policinë e Kosovës se “i kam vërejtur dy fëmijë duke dalur me vrap nga Merdian market”, derisa para trupit gjykues të premten e 13 tetorit ajo e kishte ndryshuar krejtësisht deklarimin duke thënë se “nuk i kam parë duke dalë nga marketi”.

Por, ky s’ishte ndryshimi i vetëm i Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ajo kishte hequr dorë krejtësisht nga çfarë ka deklaruar në polici.

E pajisur me avokat mbrojtës – të dytin pas shkarkimit të atij që e kishte – Hajdari e kishte transformuar krejtësisht deklaratën e saj fillestare.

Në transkriptin e seancës që e kishte siguruar Albanian Post, avokati i familjes së vajzës së goditur me veturë, Florim Shefqeti, i kishte kërkuar Hajdarit ta ri-konfirmoj deklaratën e saj të parë edhe sa u përket kushteve kohore të cilat i kishte përshkruar ajo në momentin kritik dhe gjithashtu veprimeve të saj.

Ministrja prapë i kishte ndryshuar fjalët.

Nuk përputhej as përshkrimi i veprimeve të ministres të cilat i kishte deklaruar në polici ditën e aksidentit.

Derisa në prill të vitit të kaluar kishte thënë se kur ka parë fëmijën t’i dalë para ka vepruar me “shmangie dhe frenim duke u zhvendosur në shiritin tjetër të rrugës”, në seancën e tretë ministrja deklaroi se “nuk kam lëvizur nga shiriti i rrugës”.

Ajo ishte pyetur sërish se “a keni frenuar para aksidentit?”, por thoshte se “refuzoj të përgjigjem”.

Hajdari ndërroi edhe atë që kishte thënë për kushtet atmosferike të ditës së aksidentit.

Derisa në polici kishte pohuar se “ka qenë ditë me shi”, pas daljes së videos së aksidentit dhe pamjeve të një dite të thatë, ajo pohonte se “nuk ishte ditë me shi, por e vranët”.

E ballafaquar me ndryshime të tërësishme nga deklarimi i saj fillestar, Hajdari ishte arsyetuar duke pohuar se “ajo deklaratë ka qenë pas aksidentit dhe kam qenë shumë e shqetësuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore