Lajme

Kosovë: Kryetari i Podujevës dënohet me 500 euro, grushtoi qytetarin


Shpejtim Bulliqi

Kryetari i Komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, është dënuar me 500 euro gjobë dhe shpenzime të procedurës gjyqësore, pasi vitin e kaluar, pas një konfrontimi, e ka goditur me grusht një qytetar.

Vendimi ka ardhur nga Gjykata Themelore, Dega në Podujevë, për rastin që kishte ndodhur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

“I pandehuri pas një mosmarrëveshje gojore me R. Z., tani i dëmtuar, me dashje i shkakton lëndim trupor në atë mënyrë që e godet të dëmtuarin me grusht në fytyrë në pjesën e majtë afër gojës”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Pas këtij konfrontimi, viktimës “sipas ekspertizës mjeko-ligjore, i është shkaktuar lëndim i lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin”, thuhet në aktgjykim.

Prandaj, gjykata “të akuzuarin Sh. B.”, e ka dënuar “ me gjobë në shumë prej pesëqind (500) Euro, të cilin dënim, I akuzuari është i detyruar të paguajnë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

“Detyrohet i akuzuari që të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 20 euro për ekspertizën mjeko-ligjore, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20.00 €, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të paguaj shumën prej 30 euro, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

Vetë Bulliqi e kishte mohuar se e ka sulmuar viktimën. Kishte thënë se ishte ai që u ballafaqua dhe u gjendet në atë situatë pa fajin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore