Lajme

Rozeta Hajdari dënohet vetëm me 200 euro gjobë për goditjen e 9 vjeçarës me veturë


Foto: Albanian Post

Ministrja Rozeta Hajdari është dënuar vetëm me 200 euro gjobë për shpallje fajtore të goditjes së një vajze të mitur (9 vjeçare) me veturë.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi kështu të martën, pas leximit të vendimit.

“Gjykata duke vendosur  ne bazë të neneve 3,7,8,9,17, paragrafi 1, pika 1.2, 1.5, 3.1, dhe te nenit 35 të Ligjit  për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehurës R.H i shqipton dënim me gjobë  në shumën prej  dyqind  euro (200) €”, thuhet në vendim.

Ministrja obligohet që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, “nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

Pos dënimit minimal prej 200 euro gjobë, meqë është shpallur fajtore, Hajdari duhet të paguajë edhe shumën prej 100 eurosh për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe shumën prej 900 eurosh për super-ekspertizën.

Kurse, për angazhimin e ekspertizës mjeko-ligjore duhet të paguajë shumën prej 50 eurosh.

“Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, potencohet në vendim.

Aty theksohet se pala e dëmtuar “për realizimin e kërkesës pronësore – juridike udhëzohet në kontest civil”.

Bëhet e ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, Divizioni i Kundërvajtjes, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ky vendim i Gjykatës vjen 11 ditë (13 tetor) pas seancës gjyqësore së tretë me radhë për këtë rast – e cila ishte mbajtur me dyer të mbyllura – ku Ministrja Hajdari kishte ndryshuar tërësisht deklaratën e saj.

Ky vendim i Gjykatës vjen 11 ditë (13 tetor) pas seancës gjyqësore së tretë me radhë për këtë rast – e cila ishte mbajtur me dyer të mbyllura – ku Ministrja Hajdari kishte ndryshuar tërësisht deklaratën e saj.

Me 10 prill 2022 Rozeta Hajdari pasi kishte goditur me veturë një vajzë të mitur (9) kishte deklaruar në Policinë e Kosovës se “i kam vërejtur dy fëmijë duke dalur me vrap nga Merdian market”, derisa para trupit gjykues të premten e 13 tetorit ajo e kishte ndryshuar krejtësisht deklarimin duke thënë se “nuk i kam parë duke dalë nga marketi”.

Por, ky s’ishte ndryshimi i vetëm i Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ajo kishte hequr dorë krejtësisht nga çfarë ka deklaruar në polici.

E pajisur me avokat mbrojtës – të dytin pas shkarkimit të atij që e kishte – Hajdari e kishte transformuar krejtësisht deklaratën e saj fillestare.

Në transkriptin e seancës që e kishte siguruar Albanian Post, avokati i familjes së vajzës së goditur me veturë, Florim Shefqeti, i kishte kërkuar Hajdarit ta ri-konfirmoj deklaratën e saj të parë edhe sa u përket kushteve kohore të cilat i kishte përshkruar ajo në momentin kritik dhe gjithashtu veprimeve të saj.

Ministrja prapë i kishte ndryshuar fjalët.

Nuk përputhej as përshkrimi i veprimeve të ministres të cilat i kishte deklaruar në polici ditën e aksidentit.

Derisa në prill të vitit të kaluar kishte thënë se kur ka parë fëmijën t’i dalë para ka vepruar me “shmangie dhe frenim duke u zhvendosur në shiritin tjetër të rrugës”, në seancën e tretë ministrja deklaroi se “nuk kam lëvizur nga shiriti i rrugës”.

Ajo ishte pyetur sërish se “a keni frenuar para aksidentit?”, por thoshte se “refuzoj të përgjigjem”.

Hajdari ndërroi edhe atë që kishte thënë për kushtet atmosferike të ditës së aksidentit.

Derisa në polici kishte pohuar se “ka qenë ditë me shi”, pas daljes së videos së aksidentit dhe pamjeve të një dite të thatë, ajo pohonte se “nuk ishte ditë me shi, por e vranët”.

E ballafaquar me ndryshime të tërësishme nga deklarimi i saj fillestar, Hajdari ishte arsyetuar duke pohuar se “ajo deklaratë ka qenë pas aksidentit dhe kam qenë shumë e shqetësuar”.

DOKUMENT: Si e ndryshoi Rozeta Hajdari krejtësisht deklaratën e saj për goditjen e vajzës së mitur me veturë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore