Lajme

DOKUMENT: Si e ndryshoi Rozeta Hajdari krejtësisht deklaratën e saj për goditjen e vajzës së mitur me veturë


Rozeta Hajdari

Me 10 prill 2022 Rozeta Hajdari pasi kishte goditur me veturë një vajzë të mitur (9) kishte deklaruar në Policinë e Kosovës se “i kam vërejtur dy fëmijë duke dalur me vrap nga Merdian market”, derisa para trupit gjykues këtë të premte ajo e ka ndryshuar krejtësisht deklarimin duke thënë se “nuk i kam parë duke dalë nga marketi”.

Por, ky s’ishte ndryshimi i vetëm i Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ajo ka hequr dorë krejtësisht nga çfarë ka deklaruar në polici.

E pajisur me avokat mbrojtës – të dytin pas shkarkimit të atij që e kishte – Hajdari e ka transformuar krejtësisht deklaratën e saj fillestare.

Në transkriptin e seancës që e ka siguruar Albanian Post, avokati i familjes së vajzës së goditur me veturë, Florim Shefqeti, i ka kërkuar Hajdarit ta ri-konfirmoj deklaratën e saj të parë edhe sa u përket kushteve kohore të cilat i kishte përshkruar ajo në momentin kritik dhe gjithashtu veprimeve të saj.

Ministrja prapë i ka ndryshuar fjalët.

Nuk përputhej as përshkrimi i veprimeve të ministres të cilat i kishte deklaruar në polici ditën e aksidentit.

Derisa në prill të vitit të kaluar kishte thënë se kur ka parë fëmijën t’i dalë para ka vepruar me “shmangie dhe frenim duke u zhvendosur në shiritin tjetër të rrugës”, tani ministrja deklaroi se “nuk kam lëvizur nga shiriti i rrugës”.

Ajo u pyet sërish se “a keni frenuar para aksidentit?”, por tha se “refuzoj të përgjigjem”.

Hajdari ndërroi edhe atë që kishte thënë për kushtet atmosferike të ditës së aksidentit.

Derisa në polici kishte pohuar se “ka qenë ditë me shi”, pas daljes së videos së aksidentit dhe pamjeve të një dite të thatë, ajo tash pohon se “nuk ishte ditë me shi, por e vranët”.

E ballafaquar me ndryshime të tërësishme nga deklarimi i saj fillestar, Hajdari u arsyetua duke pohuar se “ajo deklaratë ka qenë pas aksidentit dhe kam qenë shumë e shqetësuar”.

Avokati i familjes të së miturës insistonte të nxjerrte një përgjigje nga ministrja nëse i ka parë fëmijët në ndonjë segment para aksidentit, apo jo, meqë e ndryshoi deklaratën më shumë se njëherë, por pa folur ministrja ka ndërhyrë avokati i saj, Alban Makolli, duke thënë se klientja e tij s’ka nevojë të përgjigjet, meqë tashmë ka folur.

Sa për ndryshimin e deklarimeve, ai tha se “është shumë normale”.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Në këtë seancë gjyqësore është diskutuar edhe për super-ekspertizën, e bërë nga ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, në bazë të video-incizimeve të aksidentit të Hajdarit.

Sipas super-ekspertizës të cilën e kishte publikuar AP, thuhej se ministrja Hajdari në bazë të shikimit të vendit të ngjarjes nuk ka mundur ta evitojë aksidentin pasi ishte duke vozitur më shpejt se që duhet.

“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 kilometra me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e aksidentit”, thuhej aty.

Sipas super-ekspertizës, Hajdari do duhej të ishte “më e kujdesshme” gjatë ngasjes së veturës në një zonë urbane dhe se ka frenuar me vonesë.

“Drejtuesja e automjetit duke lëvizur në zonë urbane është dashur të ketë kujdes të shtuar ndaj pranisë së këmbësorëve në lëvizje në atë pjesë. Drejtuesja e automjetit ka reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.

Mirëpo, konstatimet e super-ekspertizës i ka kundërshtuar avokati mbrojtës i ministres, Alban Makolli.

Pas kundërshtimit të palës mbrojtëse, ka reaguar avokati i familjes së vajzës së goditur me veturë.

Avokati Shefqeti ka thënë se “konsiderojmë që të pandehurës nuk i përshtatet as ekspertiza e dt. 28.10.2022, madje as vet ekspertiza e nxjerrë sipas kërkesës së saj e dt. 07.11.2022, e po ashtu super-ekspertiza e që të tri këto kanë konstatuar lëshimet nga ana e të pandehurës”.

Në marrjen në pyetje të Hajdarit nga gjyqtari, është pyetur se “a e ndjen veten fajtore për aksidentin e shkaktuar?”.

Hajdari, në përgjigje ndaj kësaj pyetje ka thënë se “sa i përket asaj se a ndihet fajtore apo jo, unë kam qenë brenda rregullave të komunikacionit”. “Tjetër nuk kam çka të shtoj”, ka deklaruar ajo.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ndërsa, në fjalën përfundimtare të palëve, avokati i familjes së vajzës së goditur me veturë ka deklaruar se nga ky shqyrtim gjyqësor “nga provat e administruara është vërtetuar në tërësi veprimi kundërligjor i të pandehurës”.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nga ana tjetër, në fjalën përfundimtare të saj, ministrja Hajdari ka thënë se “qëndroj prapa saj çka e deklaroi avokati dhe që deklarova unë sot”, duke shtuar se “konkludimi që është dhënë në super-ekspertizë e ka dhënë vet avokati; unë e ndiej një konkludim të rëndë për mua, as sot nuk e shoh atë bazë juridike që e kam shkel”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore