Lajme

Bullgari: Reporterët pa Kufij propozojnë 10 rekomandime për lirinë e shtypit


Reporterët pa Kufij kanë botuar 10 rekomandime, ditën e mërkurë, më 10 mars, sesi të trajtohet situata “e vështirë” e lirisë së shtypit në Bullgari. Ata thanë se kjo është një çështje “jetike” përpara zgjedhjeve muajin e ardhshëm.

Rekomandimet janë të hartuara me ndihmën e ekspertëve bullgarë të medias, të cilët synojnë të shtyjnë në një debat kombëtar të gjitha partitë politike dhe publikun.

Duke qenë se Bullgaria është një shtet anëtar i Bashkimit Evropian (BE), reporterët e cilësuan “dështim” punën e qeverisë për ta bërë lirinë e shtypit një përparësi.

“Liria e shtypit ka arritur një ngërç në Bullgari dhe mediat e pavarura janë në prag të zhdukjes”.

Kryetari i Reporterëve pa Kufij në BE dhe Ballkan, Pavol Szalai, tha më tej se zgjedhjet parlamentare të 4 prillit duhet të japin një mundësi për veprim nga forcat e brendshme politike dhe çdo votues që shqetësohet për lirinë dhe cilësinë e medias.

Propozimet në lidhje me sigurinë e gazetarëve, qasjen në informacion, etikën dhe financimin e mediave janë përfshirë në 10 rekomandimet.

Situata e shtypit në Bullgari

Reporterët një vit më parë i propozuan kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov, krijimin e një “komisioni kombëtar të pavarur dhe pluralist” për përmirësimin e lirisë së shtypit në vend. Por kjo kërkesë ngeli pa përgjigje.

Reporterët deklaruan se ishin regjistruar “raste të shumta” të dhunës kundër gazetarëve vitin e kaluar në lidhje me punën e tyre. Ndërsa autoritetet “kanë luftuar për t’iu përgjigjur këtyre abuzimeve”.

“Pavarësia e transmetuesve publik, vuan nga ndërhyrjet politike, ndërsa në një konflikt interesi, disa media private janë përdorur për të shkaktuar hakmarrje pa marrë parasysh etikën gazetareske”.

Analistët e medias në Bullgari shpesh u nënshtrohen “ngacmimeve gjyqësore dhe ekonomike” dhe mediave kritike ndaj qeverisë “u mohohet reklamimi shtetëror dhe hyrja në informacion”.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2020, e ka renditur Bullgarinë të 111-tën nga 180 vende. Ky është pozicioni më i ulët i çdo vendi të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore