Shqipëria

Bujqësi me llumin e kafesë në Shqipëri


Çmimet e plehut kimik në Shqipëri kanë prekur majat.

Pandemia dhe lufta në Ukrainë ishin dy faktorët kryesorë që ndikuan në rritjen e çmimit.

E për këtë arsye vëmendja e fermerëve është kthyer në gjetjen e mënyrave alternative për të ushqyer arat e tyre.

Së fundmi, Alban Cakalli, një fermer në Mamurras i është kthyer kafesë, dashurisë më të madhe të shqiptarëve.

38-vjeçari zotëron vetëm gjysmë hektari në veriperëndim të Shqipërisë, por sërish thotë se nuk është në gjendje të përballojë plehrat me bazë kimike të importuara nga jashtë.

Ashtu si në pjesë të tjera të botës, sektori bujqësor i Shqipërisë është goditur nga kostot në rritje, me çmimet e karburanteve dhe plehrave në rritje.

Kjo pasi Rusia, një prodhues i madh i të dy mallrave, pushtoi Ukrainën.

Cakalli që të mos kryejë shpenzime jashtë buxhetit të tij i është kthyer llumit të kafes, një pleh natyral dhe i gjindshëm në çdo cep të vendit.

Pirja e kafes në Shqipëri mbetet një argëtim kombëtar dhe kafenetë janë të mbushura pothuajse gjithmonë plot.

Në një ditë mesatare, Cakalli thotë se është në gjendje të mbledhë deri në 40 kilogramë llum kafeje.

Procesi kërkon shumë kohë, por produkti përfundimtar është “i pasur me azot, magnez dhe kalium dhe është një zëvendësues i mirë i plehrave kimike” dhe “zmbraps insektet”.

Shumë prej fermerëve të vegjël shqiptarë u janë kthyer metodave të ngjashme tradicionale për të pasuruar tokën e tyre në vend që të paguajnë çmime më të larta për plehrat e importuara.

Sipas ekspertëve, plehrat dhe lëndët djegëse përbëjnë më shumë se 45 për qind të kostove në prodhimin bujqësor në vend.

Për dekada, Shqipëria është mbështetur në importet për plehra pasi fabrikat e saj u braktisën kryesisht dhe u rrënuan pas rënies së qeverisë së saj komuniste në fillim të viteve 1990.

Rusia ishte eksportuesi kryesor i plehrave në Shqipëri vitin e kaluar, me një vlerë totale prej 11 milionë dollarësh, sipas bazës së të dhënave tregtare të OKB-së.

Duke kaluar në llum kafeje, Cakalli thotë se kursen nga 1 mijë e 500 deri në 2 mijë euro në vit.

Ai tani po fokusohet në rritjen e kulturave ekzotike – duke përfshirë frutat e pasionit dhe goji manaferrat – pasi importi i frutave nga Amerika e Jugut u ndalua gjatë pandemisë, pikërisht kur kërkesa filloi të rritet.

Vetëm këtë vit, Cakalli ka korrur gjysmë ton fruta pasioni që shitet për rreth 15 euro kilogrami — që është një shumë jo e vogël në Shqipëri ku paga mesatare është 460 euro.

Marrë nga AFP, përshtatur për Albanian Post 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore