Lajme

Bufin e famshëm të “Central Park” e përplas kamioni


Ai u bë shumë i dashur për New York-ezët, pasi u strehua në parkun më të famshëm të SHBA-ve, Central Park, në zemër të metropolit në Amerikën lindore.

Barry, bufi i Central Park, po fluturonte ulët për të gjetur ushqim kur një nga kamionët e mirëmbajtjes së parkut, e goditi atë në fluturim e sipër.

Lajmi bëri xhiron e botës menjëherë. Të gjithë të apasionuarit pas shpendëve, zgjodhën mediat sociale për të shprehur keqardhjen e tyre mbi ikjen e Barry-t nga kjo botë.

“Prania jote e bukur dhe kurioze do të na mungojë”, shkruhej në një status në Twitter.

Bufi u bë i famshëm në Central Park, mbi të gjitha vitin e kaluar pandemik. Të gjithë personat që e frekuentonin parkun e madh, ndalonin për të vëzhguar se çfarë Barry do të bënte, ose për të shkrepur ndonjë fotografi.

Duke u bërë një ikonë në New York, Barry kishte edhe faqen e tij në Twitter. Kjo e fundit, menaxhohej nga personat që e admironin shpendin e bukur.

Kërkesë llogarie pati ndaj ekipit mirëmbajtës ndërkaq. Sipas hetimit të rrethanave, të gjitha protokollet e paracaktuara ishin zbatuar.

Mjeti po ecte me shpejtësinë e duhur dhe dritat ishin të ndezura.

Më shumë se 280 specie shpendësh kanë zgjedhur Central Park si habitatin e tyre natyral. Ndërsa, Barry, do të mbahet mend si një ndër më të dashurit për të gjithë vizitorët e përhershëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore