Shqipëria

Budget Direct: Shqipëria, mes 10 vendeve më të shtrenjta për tarifat rrugore


Kompania australiane e shërbimeve financiare, Budget Direct, ka nxjerrë listën e tarifave mesatare për përdorimin e rrugëve në çdo shtet. Sipas saj, Shqipëria rezulton e nënta në botë për shtrenjtësinë e tarifave të përdorimit të rrugëve.

Në këtë listë përllogaritet çmimi mesatar për një makinë të kategorisë 4+1, nga fillimi i rrugëve deri në fundin e tyre, duke e ponderuar me kilometrat dhe numrin e pagesave për secilën.

Në Shqipëri është vetëm një rrugë, ku zbatohet regjimi i tarifave për përdorimin e saj. Rruga e Kombit, e gjatë 128 km, që nga 17 shtatori i vitit 2018, detyron automjetet që kalojnë aty të paguajnë pesë euro (660 lekë).

Kaq ka mjaftuar për ta listuar Shqipërinë tek vendet, të cilat aplikojnë tarifa ndaj subjekteve që e përdorin këtë rrugë. Në planet e qeverisë është edhe ndërtimi i rrugëve të reja, të cilat parashikojnë tarifa për përdorimin e tyre.

Ajo do të zbatojë regjimin e tarifave rruga Milot-Fier, e cila parashikon edhe kalime alternative përmes rrugëve dytësore. Megjithatë, sesa do të paguhet nuk dihet ende.

E renditur e nënta në listën e pagesave mesatare, Shqipëria lë pas shtete me standard të lartë jetese, si: Gjermania, SHBA-ja, Suedia etj.

Dukuria që vihet re, është se vendet, të cilat e kanë praktikë të rregullt aplikimin e tarifave në rrugët kombëtare, kanë një mesatare më të ulët në tarifa.

Në të kundërt, shtetet, të cilat nuk e përdorin rëndom këtë praktikë, ku bën pjesë dhe Shqipëria, kanë tarifa më të larta.

Lista kryesohet nga Zvicra, me një mesatare prej 21,9 eurosh, e distancuar nga Austria në vend të dytë me mesatare prej 13,46 eurosh.

Në ekstremin tjetër të listës ndodhen Zelanda e Re, në vendin e 19-të, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në të 20-in, respektivisht me 1,26 dhe 0,9 euro në pagesa.

Bie në sy që kanë mbetur jashtë listës vende si Italia dhe Franca, si dhe vendet e rajonit. Më e afërta me Shqipërinë në rajonin e Ballkanit është Kroacia, e cila renditet në vendin e katërt me një mesatare prej 12,63 eurosh.

Për sa u përket tarifave në rrugë specifike, më e larta është ajo Pennsylvania Turnpike në SHBA, përdorimi i të cilës u kushton automjeteve 93,24 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore