Lajme

Brzezinski: Synimet hakmarrëse të Putin-it janë kërcënim për Evropën dhe Ballkanin


Vladimir Putin, foto nga Reuters

Eksperti amerikan për politikën e jashtme dhe ish-zëvendës ndihmës sekretari i mbrojtjes për Evropën dhe NATO-n, Jan Brzezinski, ka thënë se konflikti ndërmjet NATO-s dhe Rusisë nuk mund të injorohet si një mundësi dhe se “qëllimet hakmarrëse” të presidentit rus, Vladimir Putin, janë një kërcënim për Evropën dhe për Ballkanin në veçanti.

Brzezinski, djali i shkencëtarit politik Zbigniew Brzezinski, një nga krijuesit e politikës amerikane ndaj Rusisë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, i cili dikur e përshkroi një “Ukrainë të fortë si një kundërpeshë vendimtare ndaj Rusisë”, tha se askush nuk dëshiron një ringjallje të Luftës së Ftohtë.

“Fatkeqësisht, ne po hyjmë në një fazë të re të përplasjes me Rusinë, e cila nxitet nga ambiciet hakmarrëse të Putinit”.

Nuk është diçka që sapo ka ndodhur. Kjo përplasje ka vazhduar për më shumë se një dekadë.

“Njerëzit thonë se nuk po mendoj mjaft gjerësisht, kur pretendoj se kthesa vendimtare në lidhje me konfrontimin midis Rusisë dhe Perëndimit ndodhi kur Rusia sulmoi Gjeorgjinë në vitin 2008”, tha Brzezinski.

Duke folur për incidentin e fundit në Poloni, kur u zbulua se raketat ukrainase kishin rënë në tokën e këtij shteti dhe vranë dy persona, Brzezinski tha se një incidenti të tillë është dashur t’i përgjigjet perëndimi me diçka më të fortë se retorika.

“Vëmendja e aleatëve të NATO-s duhet të tërhiqet për të menduar për vendosjen e mbrojtjes kundërajrore në Ukrainë”.

“Kjo do të ndihmonte në forcimin e hapësirës ajrore të Ukrainës, mbrojtjen e civilëve në terren në një pjesë të Ukrainës ku nuk ka luftë tokësore, por ende i nënshtrohet këtij bombardimi brutal. Kjo do të ndihmonte në zbutjen e rrezikut të përhapjes së konfliktit në Poloni ose aleatë të tjerë në kufi me Ukrainën – Sllovakinë, Rumaninë”, sugjeron Brzezinski, shkruan N1.

Ai beson se ky nuk do të përfaqësonte një agresion të drejtpërdrejtë kundër forcave ruse, por do të nënvizonte vendosmërinë perëndimore për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus dhe vlerëson se nëse incidenti nuk përgjigjet me diçka më të fortë se retorika, do të rrisë prirjen e Putinit për ta përshkallëzuar më tej konfliktin.

Ish politikani amerikan thotë gjithashtu se Rusia është e tronditur nga përgjigja e Ukrainës ndaj agresionit rus dhe se Rusia po përpiqet të mbajë sa më shumë territor për të parandaluar humbjet e mëtejshme dhe se taktikat ruse përbëhen nga tre pjesë: së pari mbrojeni, pastaj përforcohuni dhe më pas kthehuni për më shumë territori.

Jan Brzezinski,

I pyetur se sa larg mund të shkojë Putin në këtë luftë, Brzezinski tha se presidenti rus është i përgatitur të humbasë aq ushtarë sa të jetë e nevojshme.

“Është pothuajse fokusi i tij maniakal që ka dhe po shkatërron vendin si rezultat i atij obsesioni. E vetmja mënyrë se si mund të shohim fundin e luftës ose stabilizimin e saj është që Ukraina të dëbojë ushtarët e saj nga i gjithë territori ukrainas, përfshirë Krimenë”, tha Brzezinski.

Ai shtoi se roli shkatërrues i Putinit në Ballkan është i dukshëm sot.

“Ne shohim rolin katastrofik të korrupsionit rus në rajon. Rusia po inkurajon disa ndjenja kombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë. Unë nuk e harroj përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi në 2016. Është një ndërhyrje mjaft e qartë”, thotë Brzezinski.

Duke komentuar akuzat e fundit nga administrata amerikane se Rusia ka ndihmuar financiarisht Frontin Demokratik në Mal të Zi, si dhe Milorad Dodikun në Bosnje, Brzezinski tha se marrja e parave nga Rusia nuk është një ide e mirë në asnjë vend evropian.

“Është problematike dhe shtron pyetjen se cilat janë interesat dhe qëllimet e palëve që janë të gatshme të pranojnë paratë ruse dhe nga çfarë heqin dorë për hir të këtyre parave. Ne këtu në SHBA jemi shumë të ndjeshëm ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhje, si dhe ndaj fushatës dezinformuese të vetë Rusisë. Ne po bëjmë gjithçka për të siguruar transparencë maksimale për atë lloj ndikimi dhe kjo vlen për ndikimin e çdo qeverie, ruse, japoneze, gjermane”, tha ai.

Sipas tij, është e rëndësishme që të ketë rregullore mbi bazën e së cilës dihet se nga vijnë paratë.

Dhe kur vjen nga Rusia, duhet të pyesësh se çfarë japin në këmbim. Megjithatë, besoj se përgjigja do të na çonte në telashe”, tha ai.

I pyetur se sa e rrezikshme është në Ballkan të ketë liderë si Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik, të cilët ende mbajnë kontakte me Moskën ndërsa refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë, Brzezinski thotë se Kremlini po përpiqet të rrisë ndikimin e tij të dëmshëm në rajon.

“Është e qartë se ka synime për ta shtyrë atë rajon nën ndikimin rus. Unë nuk mendoj se ka një vend të vetëm ballkanik apo evropian për momentin që duhet të ketë raporte me Rusinë në cfarëdo forme për shkak të pushtimit të Ukrainës. Për sa kohë që rusët pushtojnë territorin ukrainas, marrëdhëniet ekonomike, politike dhe çdo marrëdhënie tjetër me Rusinë duhet të kufizohet derisa Rusia të tërhiqet nga Ukraina. Dhe nuk duhet të ketë absolutisht asnjë bashkëpunim”, deklaroi Brzezinski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore