Sport

Broja, nënshkrimi perfekt për të nisur epokën e re të Southampton-it


I huazuari i Chelsea-t, Armando Broja, po lë gjurmë në “St Mary’s”. I dal nga akademia e famshme e bluve “Cobham”, ai po bën emër te Southampton-i këtë sezon.

Goli i 20-vjeçarit të martën në mbrëmje, në atë fitore 4-1 të “shenjtorëve” ndaj Brentford-it, e pa Brojën të bëhet lojtari më i ri në historinë e Premier League-s që shënon në secilën prej katër ndeshjeve si startues në shtëpi.

Tashmë, duket se Southampton-i dëshiron ta ketë përgjithmonë si lojtar të saj Brojën. Ata po planifikojnë një lëvizje gjatë verës.

Ralph Hasenhuttl, trajneri i Southampton-it foli pas ndeshjes me Brentford-in, duke thënë se “ai do të jetë këtu dhe do të ishte mirë nëse ai do të ishte lojtari ynë”.

“Ai dëshiron të jetë me ne, mendoj. Ju mund ta ndjeni këtë në çdo moment dhe fansat gjithashtu e duan atë”, shtoi tekniku për “Athletic”.

Diego Costa i radhës?

Broja shpesh është cilësuar si zëvendësuesi ideal i ish-sulmuesit të Chelsea-t, Diego Costa-s. Kjo për shkak të fuqisë dhe paraqitjeve shpërthyese të tij.

Lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, i lindur në Angl, do të ndihet krenar të dij, se pikërisht lojtari i fundit që ka shënuar në katër starte radhazi në shtëpi, ka qenë vetë Costa.

Ashtu si spanjolli i lindur në Brazil, Broja ka aftësi për të shënuar gola të rëndësishëm. Deri më tani, ai ka pesë gola në Premier League.

Sulmuesi i Southampton-it, shënoi për herë të parë në fitoren 1-0 ndaj Leeds-it në tetor të 2021. Që atëherë, Broja ka shënuar në barazimin 2-2 ndaj Burnley-t, 1-1 ndaj Brighton-it, 2-2 ndaj Crystal Palace dhe në fitoren e fundti 4-1 ndaj Brentford-it.

Çfarë e pret Brojën?

Nëse vazhdon me këtë formë, në fund të sezonit, Broja do të ketë shumë skuadra që do e kërkojnë. Është e paqartë nëse Chelsea dëshiron që ai të kthehet në klub, apo do të kërkojnë të fitojnë para nga ai.

Duke pasur parasysh veprimet e Chelsea-t, gjasat janë që ai të largohet për një tjetër periudhë në huazim ose të shitet përgjithmonë.

Por, pas këtij fillimi të jashtëzakonshëm me “shenjtorët”, nuk përjashtohet mundësia që ata të bëjnë lëvizje për ta mbajtur shqiptarin.

Tifozët e Southampton-it shpresojnë që Broja të mbetet te Southampton-i dhe të jetë një pjesë integrale e një të ardhmeje potencialisht emocionuese. Sidomos tashmë që klubi kaloi në duart e pronarëve të rinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore