Lajme

Brnabiq: Pak hapësirë për dialog me Kosovën, janë “fanatikë ideologjikë”


Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka thënë se është e shqetësuar për gjendjen në Kosovë, derisa në Bruksel presidenti i Serbisë Alekandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takohen për të parën herë me ndërmjetësimin e kryediplomatit europian, Josep Borrell.

“Nuk do të jetë e lehtë për të(Vuçiq), është një detyrë e pamundur dhe përgjegjësi e madhe. Kurrë nuk kam qenë e shqetësuar aq sa jam sot për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë”, ka deklaruar ajo në TV Pink.

Sipas kryeministres serbe, kurrë më pak nuk ka pasur hapësirë për dialog midis Kosovës dhe Serbisë, prandaj ajo e kupton pozitën e vështirë në të cilën gjendet presidenti i saj.

“I uroj presidentit Vuçiq fat në betejën e sotme. Unë jam në Bruksel me gjithë zemër dhe shpirt, edhe pse nuk shoh hapësirë për dialog”, ka theksuar ajo.

Qeverinë e Kosovës, Brnabiq e ka quajtur një “grumbull fanatikësh ideologjik” të cilët i kanë vënë në situatë të vështirë dhe se nuk sheh hapësirë për dialogim. Ajo gjthashtu ka shtuar se nuk ka negociator më të mirë dhe më pragmatik se Vuçiçi dhe se ndihet keq për barrën që ka.

“Presidenti Vuçiç është i dedikuar të gjejë një anë që është e arsyeshme, pragmatiste, dhe e dinë ku janë vijat e kuqe, por dëshiron të dialogojë, me një palë që s’dëshiron të bëjë asgjë”, ka vazhduar ajo.

Paraditen e së martës ka nisur në Bruksel takimi në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Albin Kurti, në Bruksel ka udhëtuar me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimi.

Kurti në seancën plenare të 11 qershorit në Kuvendin e Kosovës pati thënë se pret që me kalimin e kohës realiteti në Serbi të ndryshojë e krimet që janë kryer të njihen. “Pse të ngutemi, kur e kemi shpallur pavarësinë, askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, para takimit të së martes, për TV Pink kishte thënë se “Pozicioni i Serbisë është i vështirë, por nuk ka forcë që do të na detyrojë të bëjmë diçka kundër interesave tona kombëtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore