Lajme

Britania ‘kërcënon’ azilkërkuesit: Kujt nuk i pëlqejnë kushtet, mund të shkojë në Ruandë


Azilkërkuesit, të cilët ankohen për kushtet e hoteleve të vëna në gatishmëri nga Ministria e Brendshme britanike, mundet fare mirë të shkojnë në Ruandë.

Ky është “kërcënimi” i autoriteteve të larta të Mbretërisë së Bashkuara, i cili shkon drejtpërdrejt për të gjithë ata emigrantë të jashtëligjshëm, të cilët ngrenë pretendime mbi kushtet jo të përsosura të trajtimit të tyre, me mbërritjen në Angli, sipas një raporti të publikuar nga organizata bamirëse “Refugee Action”.

Raporti emërtohet “Mikpritja e vrazhdë: si sistemi i azilit është i djallëzuar që në gjenezë” dhe për bazë ka marrë 100 intervista të detajuara me emigrantë të jashtëligjshëm në Londër, Manchester, West Midlang dhe Bradfort.

Në këto intervista përfshihen ato me persona, të cilët kanë shkuar vetëm, me të rritur, apo familjarë dhe përqendrimi kryesor i hulumtimit shtrihet në gjetjen e problemeve, me të cilat këta persona hasen me mbërritjen në qendrat e azilantëve.

Sipas tij, përtej faktit se të gjithë këtyre personave, u thuhet specifikisht se nuk duhet të ankohen për kushtet jo të mira me të cilat hasen, i bëhet edhe një kërcënim i hapur për deportim në një prej kampeve të ngritura në shtetin e Ruandës, nga Britania e Madhe.

Kjo e fundit, e ka një marrëveshje me vendin afrikan dhe më shumë se sa qendra azili, qendrat e ngritura atje i përngjajnë kampeve.

Më shumë se 50 mijë azilantë po strehohen në hotele në Britaninë e Madhe aktualisht. Por, trajtimi i tyre, sipas Refugee Action, po bëhet më shumë si një qëndrim ndaj dikujt që është i burgosur.

Jo të pakta kanë qenë rastet kur në këto vende, edhe ushqimi i dhënë ndaj emigrantëve ka qenë i skaduar, ose deri edhe tek buka e mykur, për të mos përmendur kushtet higjeno-sanitare.

Në përgjithësi, ankesat kryesore të personave që qëndrojnë në këto qendra, lidhen me mbipopullimin, problematikat me ushqimet dhe diskriminimi racor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore