Lajme

Brenda 1 viti në Kosovë, 100 policë të arrestuar dhe 164 të suspenduar


100 zyrtarë të policisë së Kosovës janë arrestuar dhe 164 janë suspenduar gjatë vitit 2022, pasi dyshohen për vepra të ndryshme si keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, përdorim i tepruar i forcës, marrje të ryshfetit dhe korrupsion.

Këto të dhëna të publikuar nga Inspektori Policor i Kosovës për drejtorin e Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezin, “janë shqetësuese” dhe se ky mund të jetë sinjal se policët “janë kriminalizuar”.

“Referuar statistikave të fundit për vitin e kaluar, sa i përket rasteve të arrestimeve apo ankesave për policinë e Kosovës, atëherë mund të shqetësohemi sa i përket performancës apo degradimit të institucionit kryesor të zbatimit të ligjit në Kosovë”, tha ai për Albanian Post.

Elezi mendon se tani kur Kosova është duke bërë përpjekje për anëtarësimin e policisë në institucionet ndërkombëtare të sigurisë si Interpol apo Europol, “këto rezultate mund të rrezikojnë seriozisht proceset eventuale integruese të policisë së Kosovës”.

Bedri Elezi

“Është imediate procesi reformues i policisë së Kosovës, në të kundërtën siguria e republikës së Kosovës do të cenohet pikërisht nga këta persona apo grupe”, shtoi ai.

“Ne kemi reaguar në vazhdimësi në lidhje me reputacionin e policisë dhe atë si rezultat i aktiviteteve të dyshimta të zyrtarëve të saj. Edhe rastet ku kemi zyrtarë policorë të cilët jetojnë një jetë tejet të shtrenjtë, e në anën tjetër paga e tyre është shumë e ulët, atëherë me të drejtë mund të parashtrojmë pyetjet se si është e mundur që një polic me një pagë rreth 600 euro, të shpenzoj gjatë një muaji mijëra euro”.

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, pavarësisht arrestimit të 100 policëve, mendon se besueshmëria për këtë institucion nuk do të bie.

Por, ai kërkon që policët të trajnohen dhe se menaxhmenti të ndryshojë qasje në shkollim.

Drizan Shala

“Rastet që ndërlidhen me një numër kaq të madh të ankesave po dëshmon një element që pjesa më e madhe e zyrtarëve nuk janë të trajnuar me legjislacionin e ri. Pra, menaxhmenti duhet të ndryshojë qasje në shkollim të zyrtarëve për të garantuar një frymë demokratike”, theksoi Shala për AP.

Në anën tjetër, për profesorin e kriminalistikës, Fatmir Çollakun, puna e IPK-së tregon se institucionet e shtetit janë duke u konsoliduar, duke shtuar se “këto shifra për mua nuk janë alarmante, por vetëm një tregues i punës së palodhshme të IPK-së për të luftuar dukuritë negative që policia të jetë më e besueshme duke larguar individët të cilët kanë devijuar nga mandati i tyre”.

“Puna e IPK-së e kthen besimin e qytetarëve të rendi juridik, por është diçka e mirë edhe për vetë policinë pasi pastrohet nga policët e pa përgjegjshëm”, potencoi ai.

Sipas, tij, sytë e opinionit e shohin shtetin përmes policit, prandaj thotë se nëse policia “është zhytur në korrupsion” dhe vepra të tjera, atëherë nuk mund të pritet një shkallë e lartë e sigurisë në Kosovë.

“Besueshmëria ndaj policisë shtohet më shumë nëse nga IPK-ja evitohen dhe parandalohen keqpërdorimet nga vetë policët, prandaj policia e mbetur pa policë të korruptuar është një polici e shendosh që krijon më shumë besueshmëri te qytetarët që ka mandat sigurinë e brendshme”.

Fatmir Çollaku

Të martën, Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, ka treguar se 257 zyrtarë policorë janë hetuar gjatë vitit 2022 nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa 100 janë arrestuar, kurse janë rekomanduar 164 për suspendim.

“Ne fokus të IPK-së kanë qenë luftimi i korrupsionit në polici. Kemi 1697 ankesa nga qytetarët. Në fushën e parandalimit kemi hetuar 257 punonjës policorë, kemi arrestuar 108 punonjës, kemi rekomanduar suspendimin e 164 punonjësve policorë”, tha ai.

Si sukses të IPK-së, Hodaj ka përmendur edhe luftimin e korrupsionit brenda Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore