Shqipëria

Brari, fshati i harruar i Tiranës së hershme


Shpeshherë, edhe pse jemi aq afër monumenteve dhe atraksioneve të kulturës, ne nuk i shohim ato. Faktorët janë nga më të ndryshëm, por ai kryesori është infrastruktura.

Fshati i Brarit, edhe pse pjesë e Tiranës, dikur ishte shumë larg saj.

Rruga e vjetër e paasfaltuar u merrte banorëve kohë dhe mund. Ata duhen të bënin 60 minuta që të vinin në Tiranë.

Rruga e Arbrit, e cila përshkon fshatin, është në ndërtim e sipër dhe do të lidhë Tiranën me Dibrën me një gjatësi prej rreth 75 kilometra.

I vendosur në lindje të kryeqytetit, ai është vetëm 10 km larg qendrës së qytetit. Shumë pak njerëz e dinë që stema e Bashkisë Tiranë është gjetur aty. E vendosur në një pllakë guri që ruhet dhe në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.

Ura e Brarit, e shpallur monument kulture, është një tjetër pasuri e fshehur e këtij fshati. Dikur kjo urë ka lidhur fshatin me Tiranën.

Rruga e ka bërë urën më të aksesueshme për turistët, por problemet mbeten ndonjëherë po aty.

Edhe pse një monument kulture, tabelat orientuese ishin të paqarta, duke i bërë ato të palexueshme. Banorët, nga ana tjetër, i kishin hedhur plehrat e tyre shumë pranë urës.

Kryeplaku i fshatit, Luan Bajrami, në një prononcim për Albanian Post u shpreh se Rruga e Arbrit që kalon aty, ka ndihmuar ekonominë e vendit. Mënyra e jetesës për banorët është shitja e kultivimeve në qytetin e Tiranës dhe rruga ka shkurtuar shpenzimet.

Përtej afërsisë, Tirana vazhdon të mbetet e largët për Brarin. Monumentet e tij mbeten të harruara dhe pa kujdesin e nevojshëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore