Lajme

BQK revokon licencën kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”


Banka Qendrore e Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka njoftuar se Bordi ekzekutiv i këtij institucioni ka marrë vendim që siguruesit “Kosova e Re”, t’i revokohet licenca e punës.

Sipas Mehmetit, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, ndër vite ka pasur vështirësi finaciare në përmbushje të kërkesave ligjore, sa i përket mjaftueshmerisë së kapitalit, aftësisë paguese dhe aseteve për mbulim të provizioneve teknike.

“Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekjet për përmisimin e gjendjes finaciare të siguruesit ‘Kosova e Re'”.

“Në të njëjtën kohë aksionari i siguruesit ‘Kosova e Re’, nuk i është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjen në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi. Kështu janë hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm”, ka thënë Mehmeti gjatë një konferencë për media.

Ndërsa ka treguar se kanë hasur në mungesë të gatishmërisë nga “Kosova e Re”, për t’i përmbushur obligimet.

“Mungesa e gatishmërisë e aksionarit për t’i plotësuar kërkesat e kapitalit kanë vënë në rrezik serioz kapacitetet e siguruesit për t’i përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe ndaj kreditorëve tjerë”.

Sipas tij, vendimi nuk ka qenë i lehtë, ndërsa ka shtuar se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme duke i dhënë edhe mundësi.

“I kemi dhënë mundësi, i kemi shqiptuar gjoba fillimisht, thjesht deri në proces të administrimit dhe pas një periudhe të gjatë ne si bord e kemi vazhduar administrimin edhe për tre muaj, që të ketë shenja në drejtim që aksionari e ka seriozisht vullnetin për të shpëtuar këtë kompani”.

Mehmeti ka thënë se numri total i të punësuarve në këtë ndërmarrje është 140, ku 80 janë punëtorë, pjesa tjetër janë agjendë, ndërsa pjesëmarrja e kompanisë në treg është 5.7 për qind.

Kompania e Sigurimeve “Kosova e Re”

Ndërsa, zëvendësi i Mehmetit, Sokol Havolli, u mor me procedurat që janë ndërmerr pas revokimit të licencës.

Havolli ka treguar se qytetarët nuk do të dëmtohen nga ky vendim i BQK-së.

“Obligimi për të plotësuar kushtet ligjore ka qenë 7.70 milionë euro, tash është çështje e likuiditetit që të ndërmarr veprimet e nevojshme, procesi i likuidimit bart psoja financiare në vend”.

“Mirëpo është e rëndësishme që industria e sigurimeve ka marr përsipër që polisa e sigurimit të detyrueshëm të mos skadojnë pas një muaji, por të pranojnë të gjitha dëmet që vinë nga polisat aktive dhe që qytetarët mos të dëmtohen”.

Në tregun e Kosovës aktualisht operojnë 13 kompani të sigurimeve, ku shtatë prej tyre janë në kapital të huaj. Kurse, numri i degëve të tyre është 468.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore