Lajme

BQK përkrahë heqjen e detyrimit të tatimit në pronë për regjistrimin e automjeteve


Banka Qendrore e Kosovës-BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur inicimin e ndryshimit të projekt-rregullores mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë.

BQK konsideron se një masë e tillë e iniciuar nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, do të kontribuojë në zvogëlimin e automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara.

“Përmes këtij ndryshimi qytetarët nuk do të jenë të obliguar që të paraqesin vërtetimin e tatimit në pronë për të regjistruar automjetet e tyre”.

BQK konsideron se në Kosovë numri i automjeteve të pasiguruara është në rreth 25-30%. Kjo përqindje sipas tyre është ndër më të lartat në Evropë.

Ky institucion inkurajon të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura në mënyrë që të reduktohen sa më shumë automjetet e pasiguruara.

“BQK po ashtu, si palë nënshkruese e marrëveshjes së mirëkuptimit për policat kufitare ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve, kërkon nga palët nënshkruese që të zbatojnë zotimet në kuadër të kësaj marrëveshjeje, përfshirë edhe hapat që kanë për synim reduktimin e automjeteve të pasiguruara, e qëllim përfundimtar i të cilës është zgjidhja permanente e problemit të policave kufitare dhe kartonit të gjelbër”, thuhet në reagimin e BQK-së.

Ilustrim

Të premten e tetë shtatorit, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se nuk do të ketë më nevojë për vërtetim të tatimit në pronë, si dëshmi për regjistrimin e veturave.

“Sot kam nisur për në Qeveri Projekt-Rregulloren mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë. Me anë të kësaj rregulloreje përcaktohen shërbimet që mund të pezullohen nga komuna, në rast së pala ka detyrime të papaguara të tatimit në pronë”, ka shkruar Murati.

Ministri Murati ka thënë se kjo ulë numrin e veturave të paregjistruara, që është njëri nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, dhe heqjes së pagesë së policave kufitare për bashkatdhetarët tanë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore