Përballje

Botërori 2023 për femra: Shqipëria dhe Kosova zbresin në fushë këtë të marte


Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në konkurrencën e femrave, do të zbresin sot (e marte) në fushë, për të zhvilluar ndeshjet e dyta kualifikuese të Kampionatit Botëror që do të mbahet në vitin 2023 në Australi dhe Zelandën e Re.

Dyja kombëtaret do të kenë teste shumë të vështira, pasi që do të ballafaqohen me favoritët kryesorë të Grupit F, Norvegjinë respektivisht Belgjikën.

E para do të zbresë në fushë Kosova, ku do të ballafaqohet më Norvegjinë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

Ndonëse Norvegjia është një favorit absolut për këtë takim, përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, ka thënë se do të hyjnë në këtë takim pa frikë dhe me synim për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e gjelbër, e pse jo edhe të befasojnë me rezultat.

Mirëpo, Fazlija ka shtuar se në këtë takim do të hyjë me një formacion më defanzivë, duke pasur parasysh cilësitë e kundërshtarit.

“Ne luajmë futboll të bukur dhe të hapur, por ndaj Norvegjisë duhet të luajmë lojë defanzive me sistemin, 5-4-1”, ka thënë Afërdita Fazlija në konferencën për media.

Në ndeshjet e xhiros së parë, Kosova barazoi 1:1 me Shqipërinë, derisa Norvegjia deklasoi Armeninë me shifrat 10:0.

Thuajse pas përfundimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Norvegjisë, radha do të jetë për Shqipërinë, ku do të luajnë në udhëtim te Belgjika, me fillim nga ora 20:30.

Dyja kombëtaret vijnë në këtë takim pas barazimeve, ku Shqipëria ndau pikët me Kosovën, ndërsa Belgjika me Poloninë.

Momentalisht Grupit F i prinë Norvegjia me tri pikë, Shqipëria, Kosova, Polonia e Belgjika kanë nga një, ndërsa Armenia nuk ka fituar asnjë pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore